Dueli i zjarrtë në Europa League, Roma - Athletic Bilbao

Futboll

Dueli i zjarrtë në Europa League, Roma - Athletic Bilbao

Më: 6 mars 2025 Në ora: 11:18
Pamje nga një ndeshje

Sonte, në orën 21:00, Stadio Olimpico në Romë do të jetë arenë e një përballjeje mjaft interesante në 1/8 e finales së Europa League, ku Roma do të jetë mikpritëse e Athletic Bilbaos.

Kjo ndeshje, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK, premton të jetë një spektakël futbolli, duke sjellë përballë dy skuadra me ambicie të mëdha për të arritur finalen, e cila do të zhvillohet në Bilbao.

Roma, e drejtuar nga Claudio Ranieri, vjen në këtë ndeshje me besimin e rritur pasi eliminoi Porton në raundin paraprak. Skuadra italiane do të kërkojë të shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas për të marrë një rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit në San Mamés.

Ranieri nuk do të ketë në dispozicion Leandro Paredes për shkak të suspendimit, por pritet që Artem Dovbyk, ish-ylli i Gironës, të udhëheqë sulmin e verdhekuqve.

Nga ana tjetër, Athletic Bilbao, e drejtuar nga Ernesto Valverde, vjen në kryeqytetin italian me synimin për të vazhduar rrugëtimin e tyre drejt një finaleje të mundshme në shtëpi. Pas triumfit në Copa Del Rey, skuadra baske synon të arrijë sukses edhe në arenën evropiane. Valverde do të ketë pothuajse të gjithë lojtarët në dispozicion, me përjashtim të Alvaro Djalo, i cili është i lënduar. Unai Simon, pas rikuperimit nga lëndimi, pritet të jetë në portë.

Përballja e tyre e mëparshme në fazën e grupeve u mbyll në barazim, duke treguar se të dyja skuadrat janë të afta të rivalizojnë me njëra-tjetrën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat