Drejtori sportiv jep përgjigjen e prerë

Futboll

Drejtori sportiv jep përgjigjen e prerë

Më: 6 mars 2025 Në ora: 11:55
Deco

Sugjerimi është i tillë, që të bën t’i zgurdullosh sytë: Neymar, përsëri te Barcelona.

Megjithatë, duket se është e destinuar të mbetet vetëm një sugjerim.

Disa ditë më parë, në Spanjë dhe në gjithë botën e futbollit, pati shumë zëra që thonin se ylli brazilian kishte ëndrrën për ta veshur përsëri fanellën blaugrana, pasi kishte rimarrë formën me Santosin, gjithashtu për të synuar Botërorin 2026 me Brazilin, dhe të kthehej kështu në skenat e mëdha të futbollit.

Megjithatë, drejtori sportiv i katalanasve, Deco, foli mbrëmë për mundësinë e një transferimi të tillë, duke bërë të qartë se Neymar nuk është pjesë e planeve të klubit: “Neymar ka qenë një fenomen, i cili ka kaluar këtu, ka bërë atë që ka bërë, ka fituar atë që ka fituar. Ndonjëherë këto histori nuk përsëriten, ose mund të përsëriten, nuk dihet, por mendoj se ky nuk është momenti. Barcelona nuk po mendon për Neymarin, nuk është në planet tona një rikthim i tillë”.

Megjithëse Deco është i lumtur që ish-lojtari i Barcelonës po kthehet në futboll, ai ka dashur të largojë të gjitha thashethemet që flisnin për një rikthim të mundshëm: “Sigurisht, Neymar është një lojtar i rëndësishëm. Nëse një ditë do të paraqitej një situatë e tillë, skenari duhet të jetë pozitiv për Neymarin dhe për ne. Një ekip futbolli krijohet me balancë dhe mendje”.

Më pas, Deco e përgëzoi Neymarin për atë që po tregon në Brazil: “Së pari, mendoj se Neymar ka nevojë të jetë përsëri i lumtur, ta shijojë futbollin. Nuk shoh një vend më të mirë për të momentalisht sesa Brazili, te Santosi, që është klubi i tij i fëmijërisë.

E mbështes, dua që të jetë i lumtur, sepse kombëtarja e tij ka nevojë për të. Të gjithë ata që duan ta shijojnë futbollin kanë nevojë të shohin një Neymar të lumtur”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat