Nëse mendja nuk punon, këmbët nuk përgjigjen. Por, nëse këmbët nuk reagojnë, koka mund të mendojë shumë, por do ta bëjë pas asnjë efikasitet. Milani pas Lacios doli jo vetëm i vërshëllyer dhe i tkurrur në ambicie, por edhe me të njëjtin refren që e shoqëron prej më shumë se dy muajsh tashmë (që kur erdhi Konseisao): “Mungesë cinizmi, pa agresivitetit dhe qasje e gabuar”.
Nuk është vetëm çështje organizimi. Edhe kundër Torinos e Bolonjës, skuadra e Konseisaos nuk arriti të fitonte duele individuale praktikisht në asnjë zonë të fushës, por ajo që i lë njerëzit e hutuar edhe një herë tjetër, është qasja e çuditshme ndaj ndeshjes në krahasim me kundërshtarët, edhe pa gabimin e Menjasë në fund të takimit. Por pse është ky një problem që duket se nuk i gjendet zgjidhje?
SHKAQET – Ka dy përgjigje: ose është problem këmbësh, përsa i përket gjendjes fizike, ose është problem me psikologjinë. Në rastin e parë, do të ishte interesante të kuptonim pse, sidomos pas dy muajsh të plotë ndryshimesh në staf dhe metoda pune, kur Milani duket ende në vështirësi. Sa për presionin ofensiv të dëshiruar nga Konseisao, sulmuesit kuqezinj mbërrijnë gjithmonë me vonesë, anashkalohen lehtësisht, duke lënë katër mbrojtësit dhe mesfushorin difensiv të ekspozuar ndaj rivalëve në arrati që mbijnë nga të gjitha drejtimet.
Nëse, nga ana tjetër, është një problem mendor, duhet nënvizuar se as Fonseka më parë dhe as Konseisao tani nuk po gjejnë mënyrën e duhur për të marrë kundërmasa. Në ato pak duele që zhvillohen në mesin e fushës, kundërshtari del shpesh fitues dhe nuk mund të jetë gjithmonë çështje fati apo topash që përplasen në mënyrë rastësore.
PASOJAT – Trajneri portugez dhe klubi kërkuan një zgjidhje në merkato dhe në vetëm pak ditë punë së bashku është e paimagjinueshme të shihen rezultate afatgjata, përtej episodeve individuale të para mes Kupës së Italisë dhe Serisë A, ku megjithatë ritmi ka qenë shumë shpesh i ndryshëm. Moduli me “4 fantastikë” e dështoi provimin, sepse duket shumë i brishtë për të përthithur ndikimin e ndeshjeve fizike si ato kundër Torinos, Veronës dhe Lacios.
Sidoqoftë, ky Milan, mbi të gjitha rezulton edhe mjaft i papjekur në zhvillimin e presionit nga lojtarët më të mësuar me imagjinatë se sa me sakrifica, një situatë që kushtëzon manovrën. Sepse, nëse Pulisiç, Leao e Feliks duhet të ndjekin rivalët, janë po ata të cilëve u kërkohet manovra sulmuese. Për më tepër, ata mund të gjenden edhe në pozicione që nuk u përkasin e për pasojë vijnë edhe humbjet e kohës që e kthejnë Milanin në një ekip të parashikueshëm.
Problem i mendjes ose i këmbëve, por duke gjykuar nga rezultatet, për momentin njëra nuk e përjashton tjetrën. Aq më tepër që lojtarët tashmë janë vënë në dietë e u përgjohet edhe gjumi.