FSHF organizon mini-turne futbolli

Futboll

FSHF organizon mini-turne futbolli

Më: 6 mars 2025 Në ora: 12:55
Foto e përbashkët

Në kuadër të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Grave, FSHF organizoi në “Shtëpinë e Futbollit” një mini-turne të veçantë futbolli me pjesëmarrjen e vajzave të UN Women, gazetareve të sportit dhe jo vetëm, si dhe vajzave të stafit të administratës së FSHF-së.

Ky aktivitet nga FSHF tashmë po kthehet në një traditë të bukur, pasi më parë u organizua edhe në kuadër të muajit sensibilizues kundër kancerit të gjirit. Vajzat, të ndara në katër ekipe, luajtën futboll dhe së bashku uruan 8 Marsin nën thirrjen “Gëzuar 8 Marsin për çdo grua që ndryshon lojën”.

Aktiviteti u përshëndet edhe nga anëtarja e KE-së, Anila Basha, dhe Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney. Në fjalën e saj, anëtarja e KE-së, Anila Basha, tha se ky aktivitet shërben për të dhënë sa më shumë mesazhe inkurajuese për të drejtat e grave dhe vajzave.

“Një aktivitet kaq i bukur, që tashmë po e kthejmë në një traditë dhe po e organizojmë. Të gjithë së bashku po krijojmë këtë traditë të bukur, duke zhvilluar këtë mini-kompeticion, i cili përtej vlerës së lojës në këtë moment, ka një rëndësi të madhe për solidaritetin që tregojmë ndaj kauzave që lidhen me vajzat dhe gratë.

Në Federatën e Futbollit punojmë shumë dhe me përkushtim për projekte, ide dhe strategji që kanë të bëjnë me politikat sociale dhe shtresat në nevojë. Ky është një nga ato aktivitete që organizojmë për 8 Marsin, për ditën e vajzave, për t’i inkurajuar dhe për të treguar se kemi nevojë për sa më shumë iniciativa dhe mesazhe të tilla.

Sot si gjithmonë, kemi vajzat e FSHF-së, vajzat e UN Women, vajzat gazetare, të cilat do të japin zërin e tyre nëpërmjet videove dhe promovimit. Shpresoj shumë që ky mini-turne të kthehet në një festë të vërtetë për ditën e gruas dhe vajzës”- tha anëtarja e KE-së, Anila Basha.

Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, në fjalën e saj të shkurtër theksoi se futbolli shërben për të dhënë mesazhin e paqes dhe barazisë.

“Është një ditë e bukur për të luajtur futboll. Ne festojmë Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe gratë që luajnë futboll – për paqe, për barazi dhe për t’u argëtuar”, – tha Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona Mçluney.

Turneu i futbollit u fitua nga gazetaret e sportit, të cilat morën edhe një kupë simbolike nga Federata e Futbollit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat