Superliga i sjell dy derbi në fundjavë

Futboll

Superliga i sjell dy derbi në fundjavë

Më: 6 mars 2025 Në ora: 14:40
Ndeshjet

Xhiroja e 23-të e Superligës së futbollit do të jetë mjaft e nxehtë.

Dy derbi na presin në këtë fundjavë dhe tri ndeshje të tjera interesante, të cilat do të luhen të premten, të shtunën e të dielën.

Dueli kryesor do të jetë ai mes Ballkanit dhe Prishtinës.

Therandasit nuk po kalojnë nëpër një moment të mirë pasi i kanë pësuar dy humbje në tri ndeshjet e fundit duke përfunduar 11 pikë prapa lideres, Drita.

Prandaj, kampioni aktual ka nevojë për pikë pasi në të kundërtën do t’i zbeheshin edhe më shumë gjasat për titull.

Nga ana tjetër, prishtinasit nuk dinë për fitore qe shtatë ndeshje dhe kjo ka bërë që të përfundojnë në vendin e pestë në tabelë, gjithnjë e më larg zonës që çon në Evropë.

Edhe për Bardhekaltrit fitorja ka rëndësi të madhe në Suharekë.

Një tjetër sfidë interesante e fundjavës do të jetë ajo mes Llapit dhe Dritës.

Llapjanët vijnë nga dy barazime, me Malishevën dhe Prishtinën dhe duket se është kthyer optimizmi tek ta.

Prandaj, trupa e Tahir Batatinës synon t’i mbajë tri pikë në “Zahir Pajaziti” për ta tentuar shmangien e pozitës së vështirë në të cilën gjendet aktualisht.

Ndërkohë, gjilanasit vijnë nga një formë solide dhe në mendjen e tyre janë tri pikët për ta ruajtur distancën ndaj ndjekësve.

Kjo xhiro do të nisë me ndeshjen mes Ferizajt dhe Suharekës, ndërsa Gjilani do të ketë punë me Feronikelin 74, kurse Dukagjini do t’i bëjë konak Malishevës.

Të gjitha ndeshjet do të nisin prej orës 14:00.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat