Bylis ka triumfuar në shtëpi përballë Teutës në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të Superiores. Sfida që u zhvillua në stadiumin “Adush Muça”, përfundoi 1-0 në favor të vendasve. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri fitues, Gentian Mezani.
“E dinim që Teuta do të ishte e vështirë për t’i shënuar, pasi mbrohet mirë dhe ruan një ekuilibër në fazën difensive. Ajo që kemi punuar këto dy ditë ka qenë loja në krahë. Nuk e bëmë mirë në pjesën e parë pasi shkuam vetëm një herë me Peraltën, pasi ai mund ta bënte më shumë, ashtu edhe Kamara.
Patëm vështirësi në nxjerrjen e topit në pjesën e parë pasi ishte një hapësirë mes dy mesfushorëve të qendrës dhe Malomos. Duhej të ishte Ruçi poshtë për të nxjerrë topin, pasi kishte hapësira boshe. Kjo na vështirësonte daljet në sulm. Në pjesën e dytë, goli na qetësoi disi dhe na vendosi në ekuilibër. Mendoj që kjo mënyrë ishte më e mirë për sot.
Jam deri diku i kënaqur pasi jemi gjatë gjithë kohës në tension. Këta çuna duhet të krijojnë më shumë siguri, u bënë shumë minuta që ata luajnë me njëri-tjetrin, duhet t’i japin më qetësi skuadrës. Duke mos pësuar sot ka qenë diçka shumë e mirë. Është kënaqësi që të mos pësosh. Kemi çuna të ri në ekip dhe kjo ju jep më shumë besim.
Kemi marrë parasysh dy gjëra. Një lodhja sepse ishin të njëjtët lojtarë dhe tjetra ne e dinim që do gjenim një skuadër të ngjeshur mbrapa dhe që luan me topa të gjatë. Duhej të ruanim qetësinë dhe të mos pësonim ndonjë kundërsulm të kundërshtarit. Këto ishin dy arsyet, lodhja dhe loja e kundërshtarit që na detyroi që të mos bënim presing ultra-ofensiv.
Peralta dilte vetëm një kundër dy në krah. Nuk kishim dy qendrat e mesit të fushës, pasi qëndronim shumë mbrapa dhe Peralta nuk dilte me lehtësi. Në dy krahët e mbrojtjes e kemi pasur të vështirë për të dalë në sulm, pasi edhe kundërshtari ishte mbyllur mjaft mirë në këto hapësira. Edhe vetë lojtarët duhet të marrin edhe vetë iniciativa. Ishte zgjedhje e lojtarëve pasi vinim nga një humbje, rezultat negativ në shtëpi. Edhe një humbje tjetër do të ishte e patolerueshme.
Sa ndikoi humbja me Skënderbeun? Sigurisht që ndikoi pasi ishte me një kundërshtar direkt, do kishim 3 pikë më shumë nëse do kishim fituar. Jemi shumë afër dhe nuk jemi të qetë, nuk kemi kohë për t’u qetësuar. Na vendosi pak në presion ç’është e vërteta”, është shprehur Mezani.