Tirana ka fituar përballë Laçit në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të të Superiores. Kjo sfidë e zhvilluar në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, përfundoi me fitoren 4-1 të bardhebluve. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri i kurbinasve, Francesco Moriero.
“Fitorja është relative, sot bëmë një pjesë të parë të mirë. Pësuam një gol nga një goditje standarde, linja mbrojtëse nuk ishte vendosur mirë. Patëm forcën që në pjesën e parë të barazonim. Mbyllëm pjesën e parë në barazim.
Pastaj në pjesën e dytë pësuam gola në kundërsulm dhe te goli i 3-të mungoi presioni tek anësori. Ndërsa goli i katërt ishte për gabim individual. Ne e dimë që është shumë e vështirë. Po luftojmë, tani do të analizojmë humbjen dhe të rikuperohemi, të rimëkëmbemi.
Probleme nuk kemi, por kemi gabuar kohën e daljës në presing. Do të rishikohet ndeshja dhe gabimet që janë bërë do të analizohen më mirë. Për mua do të ishte e thjeshtë të fajësoja lojtarët sot. Unë jam trajneri dhe përgjegjësi dhe puna ime është që t’i bëj ata të përmirësohen. Duhet të karikohemi dhe të përqendrohemi në ndeshjen tjetër, pasi nuk kemi kohë pasi faza po mbaron.
Strategji tjetër? Ishalla vijnë rezultatet, për mua është e rëndësishme loja në fushë. Nëse ekipi sulmon mirë dhe mban topin, ke më shumë mundësi që të fitosh ndeshjen. Kishim përballë një skuadër të vrarë, të lënduar”, është shprehur Moriero.