Debutoi me Arsenalin dhe tani nuk është as në stol

Futboll

Debutoi me Arsenalin dhe tani nuk është as në stol

Më: 6 mars 2025 Në ora: 19:51
Kacurri

Në mesin e shumë lojtarëve shqiptarë të talentuar dhe me premisa për një karrierë të madhe në të ardhmen, është edhe Maldin Kacurri.

Në fundin e vitit 2024, 18-vjeçari debutoi me ekipin e parë të Arsenalit.

Arteta e grumbulloi në shumë takime për të pasur në stol shqiptarin dhe për ta përdorur në çdo rast emergjence.

Dhe shembulli që dha Maldin Kacurri ishte thjeshtë i jashtëzakonshëm.

Pak ditë pasi kishte bërë debutimin me Arsenalin e Artetës, Alban Bushi e thirri këtë lojtar për të qenë pjesë e Shqipërisë U-21 kundër Armenisë U-21.

Një ndeshje krejtësisht e parëndësishme, miqësore dhe mbi të gjitha me Shpresat. Me të gjithë modestinë, lojtari mbërriti në Shqipëri dhe luajti në një ndeshje aspak joshëse, sidomos kur vinte nga një ndeshje e luajtur me Arsenalin.

Por problemi më i madh i lojtarëve shqiptarë është menaxhimi. Këtu ne vuajmë seriozisht dhe për këtë arsye futbollistët tanë nuk kanë mbërritur asnjëherë në nivelin tjetër, pasi njerëzit që i përfaqësojnë dhe i rrethojnë, i japin gjithmonë idetë e gabuara dhe kërkojnë vetëm përfitimet e tyre personale, duke mos i nxjerrë maksimumin lojtarit dhe klientit të tyre.

Kur pritej vazhdimësia e Maldin Kacurrit te Arsenali, në merkaton e janarit mbërriti shpejt zyrtarizimi se ky futbollist do të kalonte te Bromley në huazim. Kjo skuadër bën pjesë në nivelin e katërt të futbollit anglez. Përtej idesë për të pasur sa më shumë minuta në këmbë, dërgimi i Kacurrit në një nivel të tillë nuk ishte zgjidhja më e mirë e mundshme kur mund të merrte eksperiencë edhe në Championship, nivelin e dytë të futbollit anglez dhe nuk kishte se përse të shkonte në nivelin e katërt.

Por te Bromley ka ndodhur një histori e pazakontë dhe shumë misterioze.

Kacurri debutoi menjëherë që në ditët e para të transferimit të tij duke luajtur për 78 minuta në ndeshjen Salford-Bromley.

Një ndeshje relativisht e mirë e Maldin Kacurrit, por që prej asaj ndeshje, mbrojtësi shqiptar nuk ka shkelur më as në fushë dhe as në stol. Kjo e bën rastin disi të pakuptueshëm, pasi Kacurri nuk ka qenë as në stol me ekipin e Bromley.

Për momentin klubi anglez nuk ka nxjerrë ende një njoftim që tregon një problem shëndetësor apo dëmtimin e Kacurrit.

Mes një kaosi informacioni nëse është një dëmtim apo vendim teknik i trajnerit për ta përjashtuar 6 ndehsje radhazi Kacurrin, mungesa e transparencës në një klub që ndodhet në ligën e 4 të futbollit anglez, tregon edhe njëherë tjetër gabimin e lojtarëve shqiptarë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat