Wojciech Szczesny pati një fillim të vështirë si portier titullar i Barcelonës, por në javët e fundit ka filluar të tregojë vlerën e tij me paraqitje mbresëlënëse.
Të mërkurën, ai arriti kulmin e formës së tij me një performancë të jashtëzakonshme në fitoren 1-0 kundër Benfikës në Ligën e Kampionëve, duke bërë tetë pritje dhe duke siguruar një portë të paprekur, ndonëse ishin me një lojtar më pak.
Szczesny u transferua te Barcelona në tetor, pas konfirmimit se Marc-Andre ter Stegen do të mungonte për pjesën e mbetur të sezonit për shkak të një dëmtimi serioz në gju, të pësuar në fitoren ndaj Villarrealit. Edhe pse pritej që polaku të merrte menjëherë postin e titullarit, Inaki Pena mbajti rolin e portierit të parë deri në fund të vitit 2024.
Ishte vetëm në fillim të janarit kur Szczesny mori më në fund shansin për të startuar. Pavarësisht disa momenteve të pasigurta kundër ekipeve si Benfica dhe Real Madrid, Hansi Flick vazhdoi t’i besonte polakut – dhe ky besim u shpërblye këtë javë, kur 34-vjeçari tregoi një paraqitje madhështore në Lisbonë.
Szczesny u rikthye nga pensionimi për të firmosur me Barcelonën dhe fillimisht nënshkroi një kontratë deri në fund të sezonit. Synimi i tij ishte të tërhiqej përfundimisht në verë, por tani ka një mundësi të madhe që ai të qëndrojë në Katalonjë edhe për të paktën 12 muaj të tjerë.
Kjo sepse Deco dhe Hansi Flick dëshirojnë që Szczesny të zgjasë kontratën e tij, dhe sipas Relevo, klubi synon t’i ofrojë një marrëveshje të re në javët e ardhshme. Ideja është që ai dhe Marc-Andre ter Stegen të jenë dy portierët kryesorë të ekipit të parë, ndërsa zgjedhja e tretë do të jetë Diego Kochen ose Ander Astralaga.
Nëse Szczesny vendos të qëndrojë, Barcelona do të kërkojë të shesë Inaki Pena këtë verë. Megjithatë, portieri i rritur në La Masia do të ketë mundësinë të qëndrojë nëse polaku vendos të tërhiqet përfundimisht në fund të sezonit.