“Topi i Artë” 2024 ishte një nga më të debatueshmit.
Fakti që e fitoi Rodri në vend të Vinicius, siç pritej nga shumë njerëz, shkaktoi shumë pakënaqësi te Real Madridi. Në fund ishte mesfushori spanjoll i Manchester City ai që triumfoi, duke bërë që në ceremoninë e ndarjes së çmimit të mos kishte asnjë përfaqësues nga klubi madrilen.
Disa muaj më vonë, tashmë po flitet për atë që mund të jetë fituesi i ardhshëm.
Kandidatët janë të shumtë, por sipas një legjende të Manchester United dhe kombëtares së Anglisë, Rio Ferdinand, është një lojtar që e meriton më shumë se të gjithë. Madje, beson se ai do ta fitojë çmimin prestigjioz për vitin 2025. Ferdinand mendon se do ta fitojë Mohamed Salah. Sulmuesi i Liverpool-it është gjithashtu favorit i parashikimeve të kompanive të basteve.
"Në këtë moment nuk besoj se është dikush tjetër që mund të jetë në podium me të, – nënvizoi ish-mbrojtësi i shquar anglez. – Paraqitja në ndeshjet e mëdha, aty është çështja kryesore. Mund të zgjedhësh Salah, mund të zgjedhësh Dembélé. Po ashtu Mbappé, Vinicius, ose Bellingham.
Megjithatë, gjithçka do të varet nga ajo që do të bëjnë ekipet e tyre në Champions League. Futbollisti që do ta ruajë nivelin e tij dhe do të arrijë deri në gjysmëfinale apo finale të Champions-it, do ta fitojë çmimin.
Nëse Liverpool-i e fiton Champions League, jam i sigurt se Salah do të triumfojë për ‘Topin e Artë’. Kjo është logjika më normale sportive e gjërave".