​Nga sporti në politikë, Sokoli tregon nëse e synon postin e ministrit të Kulturës

Futboll

​Nga sporti në politikë, Sokoli tregon nëse e synon postin e ministrit të Kulturës

Më: 9 mars 2025 Në ora: 11:06
Bylbyl Sokoli

Trajneri i futbollit Bylbyl Sokoli pasi mori mbi 12 mijë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, do të jetë në mesin e deputetëve të rinj në Kuvendin e Kosovës, megjithatë, ai thotë se kjo nuk nënkupton që ka hequr dorë nga sporti, por përkundrazi “është zhytur edhe më thellë” në këtë fushë.

Kontributin e tij nga pozita e deputetit, Sokoli thotë se do ta jap me anën e tij profesionale për ta çuar sportin edhe një hap më përpara.

Sokoli: Nuk jam larguar nga sporti, jam futur edhe më thellë në të

“Pjesa dërmuese mendon se jam larguar prej sportit, në realitet unë më thellësisht kam hyrë në sport, më thellësisht në politikën sportive sepse mendoj që shtetit ynë i ri ka nevojë për profesionistë të sportit dhe kemi nevojë që zëri i sportistëve të dëgjohet aty ku duhet dhe kontributi im si profesionist unë mendoj se është i nevojshëm në këto momente për arsye se vërtetë janë 25 vite pas luftës dhe kemi shumë probleme që duhet trajtuar në mënyrë më profesionale”, thotë Sokoli.

Sipas Sokolit, Kosova është në një periudhë të rëndësishme të zhvillimit të infrastrukturës sportive, andaj në këtë drejtim nevojitet përkushtim maksimal që projektet e reja të analizohen në mënyrë të detajuar dhe jo të vendosen sipas preferencave të individëve apo grupeve politike.

Sokoli: Nevojiten profesionistë që të vendosin për infrastrukturën sportive

“Është një periudhë ku na nevojiten shumë profesionistë në pjesën sportive prandaj unë mendoj që në këtë drejtim do të trajtojmë çështje sa më profesionale dhe të gjitha të jenë ato sipas kritereve. Ai duhet Kosovës një stadium me 30 mijë shikues, a i duhet Kosovës në Bërnicë apo në Drenas, të gjitha këto do të trajtohen në mënyrë sa më profesionale dhe jo të vendosen në bazë të apetiteve të individëve apo të ngjyrave politike por aty ku ka nevojë”, thekson Sokoli.

Duke folur në një intervistë për KosovaPress, Sokoli tregon edhe nëse po e synon ta marrë postin e ministrit për Kulturë, Rini dhe Sport.

Sokoli: S’kam hyrë për poste, do të kontribuoj në zhvillimin e sportit

“Kontributin tim është me rëndësi me e dhënë në aspektin sportiv, do të thotë në aspektin profesional, sidomos në pjesën organizative, njëkohësisht në planifikimin e organizimit tonë edhe në një formë dhe mënyrë të detajuar se si do të duket sporti jonë që nga grupmoshat e reja deri te seniorët, që nga niveli lokal e deri te ai ndërkombëtar, kjo është e rëndësishme...Nuk jam këtu për t’i shpalosur ambiciet e mia sepse unë do të jem aty ku mund të kontribuoj më së shumti sepse në Lëvizjen Vetëvendosje ka vërtetë profesionistë të mirë...Unë do të jap kontribut në sport, nuk ka hyrë diku ku kërkoj poste apo detyra të posaçme, do të kontribuojë në zhvillimin e sportit tonë, kjo është me rëndësi”, thekson Sokoli.

Përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030 janë puna më urgjente në aspektin sportiv që e pret Qeverinë e re të Kosovës. Për këtë Sokoli thekson se çdo minutë që po kalon po bëhet gjithnjë e më vonë për Kosovën që të jetë gati për këtë ngjarje të madhe sportive.

Sokoli: Për Lojërat Mesdhetare çdo minutë që kalon është shumë vonë për ne

“Kur është në pyetje Lojërat Mesdhetare, unë mendoj që çdo ditë, çdo minutë që vonohemi jemi me vonesë, çdo ditë që shkon jemi me vonesë. Unë mendoj që sa më shpejtë duhet të startojmë me përgatitjen e infrastrukturës sepse përpos infrastrukturës nevojiten edhe ekipet profesionale për organizimin, gjë për të cilën e kemi Komitetin Olimpik sepse ne do të jemi në mbështetje aty dhe ne do të sigurojmë infrastrukturën adekuate për zhvillimin e të gjitha sporteve që janë në programin e Lojërave Mesdhetare 2030...Po shpresoj që ne me një dinamikë të përshpejtuar do të jemi të gatshëm me pjesën që na takon, pjesës politike për organizmin”, deklaron Sokoli.

Sokoli gjithashtu ka kërkuar edhe më shumë angazhim nga ana e federatave sportive, sidomos në aspektin e punës me gjeneratat e reja, sektor i cili, sipas Sokolit, garanton të ardhmen e ndritur të sportit vendor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat