Barcelona ka plot yje dhe talente, por ende nuk është një skuadër 100% e kompletuar, sepse disa role nuk janë të dubluara. Problemi kryesor në merkaton e verës do të jetë reparti i mbrojtjes.
Cubarsi është e sigurt se do të konsiderohet titullar për shumë vite, si e ardhmja e defensivës katalanase, por dilema është se kush duhet të jetë partneri i tij në qendër.
Christensen është drejt largimit, me vetëm një vit të mbetur në kontratë, kurse Eric Garcia asnjëherë nuk është cilësuar kandidat për formacionin.
Kalojmë tek Inigo Martinez, i cili pritet të rinovojë kontratën edhe për një sezon tjetër. Veterani i mbrojtjes e pranon lehtësisht rolin si zëvendësues.
Ronald Araujo, ndërkohë, ka rinovuar deri në vitin 2031 dhe ka klauzolë largimi 65 mln euro. Kjo duket si një shifër e cila paracakton fatin e tij: nëse Barcelona tenton ta zëvendësojë me dikë tjetër, ai largohet lirisht, sepse 65 mln euro sot nuk janë shumë për klubet e mëdha europiane.
Interesimi i Barcelonës për Jonathan Tah ka krijuar një problem në “Camp Nou”. Edhe pse gjermani do të afrohej me parametra zero, Araujo do të kërkojë garanci për formacionin.
Trajneri Flick e pëlqen lojtarin gjerman, por nuk do të rrezikojë të humbë një lojtar si Araujo, i cili gëzon interesin e disa klubeve big në Europë.
Aështë Barcelona në kushtet që t’i lejojë vetes tre qendërmbrojtës të kalibrit botëror dhe njëkohësisht të mos ketë një sulmues rezervë për veteranin Lewandowski?