Rikthehet Edon Zhegrova, i nis ushtrimet individuale

Futboll

Rikthehet Edon Zhegrova, i nis ushtrimet individuale

Më: 11 mars 2025 Në ora: 11:58
Edon Zhegrova

Edon Zhegrova po sheh dritë në fund të një tuneli.

Ylli kosovar është afër rikthimit në fushën e blertë pas lëndimit që e kishte pësuar në fund të vitit të kaluar.

Nga ajo kohë, “Messi i Kosovës” ka vuajtur shumë pasi nuk po mund ta bënte atë që di më së miri dhe që e do më së shumti.

Sidoqoftë, sot Lille e solli lajmin e shumëpritur dhe të gëzueshëm.

“Një tjetër lajm i mirë, rikthimi i Edon Zhegrovës në stërvitje individuale”, njoftoi klubi francez për rikthimin e 25 vjeçarit, i cili disa ditë do të ushtrojë individualisht para se t’i bashkohet ekipit në stërvitje, kur edhe do të ishte gati për t’u rikthyer në ndeshje zyrtare.

Edoni i ka zhvilluar 21 ndeshje në këtë sezon me Lillen, ndërsa i ka realizuar 8 gola dhe i ka bërë 2 asistime.

Zhegrova është i vendosur ta rikthejë formën optimale dhe ta tregojë veten në muajt e fundit të eksperiencës në Lille para transferimit në një klub më të madh evropian, e cila pritet të ndodh në verën e ardhshme.

Atë e pëlqejnë mbi të gjitha klubet italiane, Napoli e Juventus, por e përcjellin me kujdes edhe klubet nga Gjermania, por në Angli e në Spanjë.

Fatkeqësisht, futbollisti ofanziv nuk do të mundë ta ndihmojë Kombëtaren e Kosovës në dy ndeshjet e rëndësishme kundër Islandës në këtë muaj, në “play-off” të Ligës së Kombeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat