Buffon, i mahnitur nga Spalletti

Futboll

Buffon, i mahnitur nga Spalletti

Më: 11 mars 2025 Në ora: 14:29
Gianluigi Buffon

Gianluigi Buffon, një nga figurat më ikonike të Juventusit, ka folur për situatën e ekipit bardhezi dhe trajnerin Thiago Motta, pas humbjes së rëndë 4-0 kundër Atalantës:

“Ndoshta gjërat nuk po shkojnë siç do të dëshironim, por mbeten edhe 10 javë nga fundi i kampionatit. Më mirë të presim dhe të shohim nëse mund të ndodhë diçka surprizuese dhe pozitivisht e papritur. Unë e uroj këtë”.

Pas disfatës me Atalantën, kritikat ndaj Motta janë shtuar, sidomos për shkak të formës së dobët të skuadrës dhe pozicionit në renditje. Juventusi është ende në garë për një vend në Champions League, por ka dështuar në objektivat e këtij sezoni, duke u eliminuar nga Champions-i dhe Kupa e Italisë.

Ndeshja e ardhshme ndaj Fiorentinës, që është edhe e fundit para pushimit ndërkombëtar, shihet si një moment vendimtar për të ardhmen e Motta. Në media kanë qarkulluar spekulime për zëvendësues të mundshëm, por gjithçka do të varet nga rezultatet në vijim.

Buffon, që aktualisht është shefi i delegacionit të kombëtares së Italisë, foli edhe për eksperiencën e tij me Luciano Spalletti: “Është diçka që më emocionon. Të punosh me Spallettin është fat i madh.

Ai është një profesionist i jashtëzakonshëm, perfeksionist i rrallë dhe një nga njerëzit më bujarë që kam njohur ndonjëherë në futboll. Guximi dhe bujaria janë dy cilësi që i kërkoj tek njerëzit”.

Pra, e ardhmja e Thiago Motta në stolin e Juventusit mbetet e pasigurt, por për Buffon, është ende herët për të nxjerrë përfundime.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat