Gramshi ka bërë goditjen e madhe në Superioren e futbollit të femra, duke mundur Vllazninë në transfertë.
Vajzat e drejtuara nga Rraman Hallaçi triumfuan dje në Shkodër me rezultatin 1-2, takim i vlefshëm për javën e 12-të.
Një sfidë direkte mes dy pretendenteve për titull, ndërsa në fund festuan vajzat e Gramshit, të cilat përveç fitores, u gëzohen edhe vendit të parë në renditje, por me një takim më shumë se Vllaznia. Ashtu sikurse pritej kryendeshja e kampionatit të femrave dhuroi rivalitet të lartë, me të dyja ekipet që luftuan fort në çdo top.
Pjesa e parë kishte ritëm dhe grintë nga dyja kampet, ndërsa kur dukej se skuadrat do të shkonin në pushim pa gola, Ezmiralda Franja kaloi në delir vajzat kuqeblu, duke shënuar në të 44-ën për shkodranet. Loja vijoi tepër interesante edhe në pjesën e dytë, me Vllazninë që kërkoi t’i mbyllte llogaritë, por nga ana tjetër Gramshi u shfaq i organizuar mjaft mirë.
Në të 79-ën, Mesuare Begallo shpërdoroi një mundësi të artë për miket, duke gabuar nga pika e bardhë e penalltisë.
Megjithatë e njëjta lojtare do ta korrigjonte shënjestrën pak minuta më vonë, teksa në të 87-ën vendosi baraspeshën. Një gol që i tronditi vendëset dhe që i bëri me krahë krahë miket.
Kështu në frymën e fundit, keniania Elizabeth Kioko u dha goditjen e nokautit vajzave kuqeblu, duke shënuar edhe golin e dytë, për kompletuar përmbysjen 1- 2 të Gramshit në “Loro Boriçi”. Festë e merituar në shtëpinë e rivaleve për ekipin gramshiot, ndërsa për tu theksuar ishte edhe sfida brenda sfidës mes Megi Doçit dhe Musuare Begallos për garën e golashënueseve. Dueli personal u fitua nga sulmuesja e Gramshit, e cila me golin e djeshëm në Shkodër shkon në kuotën e 49 golave në kampionat, ndërsa Doçi është e dyta me 31 gola.