Furlani fiton betejën me Ibrahimoviçin

Futboll

Furlani fiton betejën me Ibrahimoviçin

Më: 11 mars 2025 Në ora: 15:16
Furlan e Ibrahimoviç

Në shtëpinë e Milanit vijojnë të jenë të nxehta dy çështje, e ardhmja e Konseisao-s dhe ajo e Drejtorit Sportiv, dy çështje që sigurisht janë dhe të lidhura ndërmjet tyre, pasi për fatin e trajnerit të ri pritet të vendos drejtori i ri sportiv.

Situata është përmbysur totalisht ditët e fundit, kjo pas takimit që Xhiorxhio Furlani, administratori i deleguar i Milanit, zhvilloi në SHBA me Gerri Kardinale, pronarin e “kuqezinjve”.

Furlani u rikthye në Milano sërish me të njëjtin pushtet që kishte përpara se të vinte Ibrahimoviç.

Në letër dhe në fushë, Furlani është njeri më i rëndësishëm në klub, është ai që ka pushtetin e plotë për të vendosur për çështjet financiare dhe teknike, e ka ai firmën në çdo rast, ndërsa Ibrahimoviç do të jetë thjesht një këshilltar i presidentit, ashtu siç u projektua në fillim kur mori rolin drejtues.

Këto zhvillime brenda klubit kanë vendosur edhe të ardhmen e Drejtorit të ri Sportiv.

Është e qartë se Furlani mendon ndryshe nga Ibra kur bëhet fjalë për këtë post. Administratori i deleguar i Milanit ka vetëm një emër në listën e tij të dëshirave, Fabio Paratici, ish drejtorin sportiv të Juventusit.

Në këtë mënyrë, me Furlanin që vendos, opsioni për të parë Igli Taren në Milano është zbehur jashtëzakonisht shumë, për të mos thënë që tani është e pamundur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat