Në ditët e fundit është rikthyer në aktualitet tema e largimit të futbollistëve nga Kombëtarja e Kosovës.
Kapiteni i ekipit U-21 të Kosovës, Etnik Brruti vendosi t’i braktis Dardanët për ta përqafuar Kombëtaren shqiptare.
“Telesport” raportoi se Federata Shqiptare e Futbollit po përpiqet ta bindë sulmuesin e Lazios, produkt i Bayern Munichut, Arijon Ibrahimoviç që të vishet Kuqezi dhe nuk do të dorëzohet në këtë drejtim.
Ibrahimoviç është një synim “i lashtë” i Kosovës dhe këtë e kishte konfirmuar në emisionin “Favorit” në T7 edhe zëvendës-drejtori i Kombëtares, Samir Ujkani.
“Kemi pasur biseda direkte me të (Ibrahimovicin), trajnerin dhe familjarët e tij. Po e ndjekim çdo vikend me ekipin”, kishte deklaruar ish-portieri kosovar.
Por, ajo që habit më së shumti është mungesa e reagimit apo e ndonjë deklarate a komunikate zyrtare nga ana e dy Federatave, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Ato e kanë zgjedhur heshtjen duke lënë shumëçka pezull dhe shumë pikëpyetje pa përgjigje.
Krerët e dy Federatave kanë pasur takime të kohëpaskohshme, duke i konfirmuar raportet e mira mes tyre, por që kur jemi tek largimi/marrja e futbollistëve të Kosovës, raportet kanë ditur të ftohen.
Natyrisht, s’duhet t’i hyjmë në hak presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili kishte folur më herët për këtë temë, duke insistuar se Shqipëria nuk i merr me zor lojtarët, por që ata vendosin vetë t’i afrohen Kombëtares kuqezi.
Kreu i futbollit shqiptar e kishte parë më shqetësues faktin kur lojtarët shqiptarë vendosin të luajnë për Kombëtare të tjera, por jo edhe për atë shqiptare.
“Ne nuk shkojmë dhe t’i gjuajmë futbollistët që janë në ekipin e Kosovës, kjo nuk ndodh kurrë.
Është një dëshirë e vetë futbollistëve, ka raste kur nuk kanë gjetur hapësira në Kosovë. Më shumë ka qenë një dëshirë e futbollistëve sesa një kërkesë e jona.”
“Është për t’u shqetësuar kur futbollistët tanë shqiptarë, të Shqipërisë, Kosovës apo të Maqedonisë luajnë për Zvicrën apo Gjermaninë, nuk kemi pse të shqetësohemi kur luajnë për Shqipërinë.”
“Kombëtarja shqiptare do jetë e hapur për çdo shqiptar që dëshiron të luajë për Shqipërinë, qoftë i lindur në Tiranë, Shkup apo në Prishtinë.”
Trendi i largimit të lojtarëve nga grupmoshat e ndryshme të Kombëtares së Kosovës apo të hezitimit për të ardhur, duke e preferuar një Kombëtare tjetër, është i kamotshëm.
Duke e parë situatën aktuale, nuk shihet një fund i këtij trendi.