Jimenez: E dua pa fund Milanin

Futboll

Jimenez: E dua pa fund Milanin

Më: 11 mars 2025 Në ora: 16:33
Jimenez

Në kanalet zyrtare të Milanit ka folur mbrojtësi i ri, i lindur në vitin 2005, Alex Jimenez.

Këto janë fjalët e tij, duke filluar nga kujtimi i hapave të parë në akademinë e “Los Blancos”: "Real Madridi më thirri kur isha 7 vjeç, pasi më kishin vërejtur në një turne në qytet, dhe më mbajti për 11 vite.

Aty pashë shumë kampionë, kur u stërvita me ekipin e parë ishte një moment vërtet i lumtur për mua. Pashë Kroos, Vinicius, Militao, të cilët më befasuan më shumë".

Si u realizua kalimi te Milani?

Te Real Madridi po përjetoja një moment të vështirë. Familjarët dhe menaxheri im më këshilluan të ndryshoja mjedis, ndaj kur Milani u shfaq, nuk u mendova dy herë. E dua Milanin, është një ekip që do të mbetet gjithmonë në zemrën time, sepse më bëri të debutoj me ekipin e parë. Nuk mund ta përshkruaj me fjalë se çfarë do të thotë ky klub për mua. Më pëlqen gjithçka te Milani.

A e mban mend ditën e debutimit?

Ishte një nga ditët më të bukura të jetës sime dhe do të jem gjithmonë mirënjohës ndaj trajnerit Pioli për besimin që më dha. Para ndeshjes me Cagliarin isha pak nervoz në autobus, sepse e dija që do të luaja titullar. Në dhomat e zhveshjes i thashë vetes të bëja atë që di të bëj dhe në fund luajta një ndeshje të mirë. Pas ndeshjes kërkova fanellën e Theo Hernandez, ai është idhulli im dhe më ndihmon shumë me këshillat e tij. Është lojtar dhe njeri i jashtëzakonshëm.

Lëndimi ju pengoi të luanit në Milan-Real Madrid, në “Youth Champions League”…

Doja ta luaja me 200%, po mendoja për të prej tri javësh. Sidoqoftë, jeta kishte plane të tjera. Milan Futuro? Të luaja me të rriturit ishte një përvojë formuese. Bonera më ndihmoi shumë.

Çfarë raporti keni pasur me Fonseca dhe më pas me Conceicao?

Të dy më dhanë besim. Fonseca më hodhi në fushë në një moment të vështirë kundër Genoa, ditën e 125-vjetorit të themelimit të Milanit. Ishte një moment i lumtur për mua, por më pak për klubin. Ishte për të ardhur keq që nuk fituam atë natë.

Si e përjetuat fitoren e Superkupës?

Conceicao më vuri menjëherë titullar kundër Juventusit dhe mendova: Si mund të më vendosë në fushë me gjithë këto lojtarë që ka këtu? Trajneri më dha besim që nga momenti i parë. Më pëlqen shumë si trajner, për idetë dhe mënyrën e tij të punës. E falënderoj.

A ka ndonjë moment të veçantë që kujtoni pas fitores ndaj Interit?

Në fund të pjesës së parë rezultati ishte 0-0, por nga një pasim i gabuar i imi pësuam gol. Më pas, në pjesën e dytë, pranuam edhe të dytin. Kur u zëvendësova, u ula në stol dhe bëra tifo, sepse doja ta fitonim me çdo kusht. Kur shënuam golin e parë, ndjeva se do ta fitonim atë ndeshje. Më pas erdhën i dyti dhe i treti, aty shpërtheva nga gëzimi. Përqafova Leaon, sepse ai e ndryshoi ndeshjen.

Si është marrëdhënia juaj me familjen?

E dua familjen time. Kur erdha në Milano, ata më ndoqën këtu dhe janë gjithmonë pranë meje.

A është objektivi juaj kombëtarja spanjolle?

Po pres momentin tim. Për mua do të ishte një ëndërr të luaja me Spanjën.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat