Luis Enrique nuk dorëzohet

Futboll

Luis Enrique nuk dorëzohet

Më: 11 mars 2025 Në ora: 16:37
Enrique e Dembele

Në prag të ndeshjes së kthimit të 1/8-ave të Ligës së Kampionëve kundër Liverpool-it, trajneri i PSG, Luis Enrique, theksoi rëndësinë e mbajtjes së posedimit të topit për ta përmbysur disavantazhin 1-0 nga ndeshja e parë dhe siguruar një vend në çerekfinale.

Në konferencën për shtyp, trajneri spanjoll deklaroi: "Ndeshja e së martës do të jetë më e balancuar. Jam optimist për atë që skuadra ime mund të bëjë. Sigurisht, do të duhet të mbrohemi dhe të sulmojmë së bashku, të kemi posedimin sa më shumë të jetë e mundur dhe kështu do të krijojmë mundësi shënimi.

Duke iu referuar eksperiencës së tij të mëparshme me përmbysje në Ligën e Kampionëve, Enrique shtoi: "Do të kisha preferuar të mos më duhej të përmbysja 4 gola kundër PSG-së kur isha te Barça, por gjatë karrierës sime gjithmonë kam pasur situata të vështira. Më pëlqen t’i menaxhoj këto momente dhe kam aftësinë për ta bërë".

PSG do të kërkojë ta përmbysë rezultatin dhe të avancojë në fazën tjetër të kompeticionit:

"Kemi ndjekur programin tonë të zakonshëm të përgatitjeve. Bëmë analizën e ndeshjes kundër Liverpool-it të nesërmen, pastaj u përgatitëm për Rennes. Nuk ka ndryshim në qasjen time, por realiteti është se për momentin jemi të eliminuar. Kemi vetëm një opsion: të futemi në fushë për të fituar, por këtë do ta bënim gjithsesi.

Nuk ka asnjë lojtar në skuadrën tonë që të mos dëshirojë të luajë në ‘Anfield’.

Është një stadium legjendar në historinë e futbollit europian dhe motivim i madh për të gjithë ne. Duam të tregojmë që jemi të aftë të bëjmë një ndeshje të madhe.

E kam përsëritur shpesh që këto ndeshje janë të vështira për t’u përgatitur.

Duhet të jemi 100% të përqendruar. Është e rëndësishme të menaxhojmë mirë emocionet dhe të fokusohemi te loja jonë.

Ne e dimë çfarë bëjmë mirë dhe çfarë duhet të përmirësojmë. Qëllimi ynë është të mbajmë zotërimin e topit, kjo është baza jonë, më pas do të shohim si do të evoluojë ndeshja".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat