Ronaldo tërhiqet nga gara për presidencën e Federatës së Brazilit

Futboll

Ronaldo tërhiqet nga gara për presidencën e Federatës së Brazilit

Më: 13 mars 2025 Në ora: 12:57
Ronaldo

Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo, njoftoi të mërkurën se tërhiqet nga gara për të qenë president i Federatës Braziliane të Futbollit (CBF), pasi nuk arriti të sigurojë mbështetje të mjaftueshme nga federatat rajonale për të paraqitur kandidaturën e tij.

Ish-fituesi i “Topit të Artë” dhe dy herë fituesi i Kupës së Botës, 48-vjeçari e kishte shpallur synimin e tij për të kandiduar në dhjetor, me qëllimin për të “rikthyer prestigjin dhe respektin që Brazili gjithmonë ka pasur”, pas viteve të skandaleve që kanë përfshirë drejtuesit e CBF-së.

Megjithatë, ish-sulmuesi i Barcelona, Inter, Milan dhe Real Madrid arriti në përfundimin se nuk do të mund ta sfidonte dot presidentin aktual, Ednaldo Rodrigues, i cili gëzon pothuajse mbështetjen e plotë të elektoratit.

“Fenomeni” ka vendosur të tërhiqet nga gara për presidencën e Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF). Këtë e ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale: “Pas deklarimit publik të vullnetit tim për të kandiduar për presidencën e CBF në sesionin e ardhshëm plenar, e tërheq zyrtarisht këtë ambicie.

Nëse shumica me fuqi vendimmarrëse beson se futbolli brazilian është në duar të mira, mendimi im ka pak rëndësi. Ideja ime ishte t’iu jepja zë dhe hapësirë klubeve, si dhe të dëgjoja federatat për të përmirësuar garat dhe zhvillimin sportiv në të gjitha rajonet. Ndryshimi i nevojshëm do të vinte nga ky këndvështrim strategjik, me forcën e një vizioni të përbashkët.

Në kontaktin tim të parë me 27 anëtarët, gjeta 23 dyer të mbyllura. Federatat refuzuan të më prisnin, duke thënë se ishin të kënaqura me administratën aktuale dhe mbështesnin rizgjedhjen e saj. Nuk munda të paraqisja projektin tim, ashtu siç dëshiroja.

Nuk pati hapje për dialog. Statuti iu jep federatave shumicën e votave dhe kështu është e qartë se nuk ka asnjë mundësi për marrëveshje. Shumica e drejtuesve shtetërorë mbështesin presidentin aktual; është e drejta e tyre dhe unë e respektoj, pavarësisht nga bindjet e mia”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat