UEFA lëshon letër zyrtare për penalltinë e diskutueshme të Julian Alvarez

Futboll

UEFA lëshon letër zyrtare për penalltinë e diskutueshme të Julian Alvarez

Më: 13 mars 2025 Në ora: 17:09
Alvarez

UEFA ka sqaruar arsyen pse goli i Julian Alvarez nga penalltia u anulua në duelin mes Atletico Madridit dhe Real Madridit në 1/8 e Ligës së Kampionëve.

Sipas komunikatës zyrtare, pamjet e analizuara nga VAR treguan se argjentinasi, megjithëse në mënyrë minimale, e preku topin me këmbën mbështetëse përpara se ta godiste me këmbën tjetër.

“Megjithëse në mënyrë minimale, Alvarez preku topin me këmbën mbështetëse përpara se ta godiste, siç tregohet në videon e bashkangjitur. Sipas rregullores aktuale (Rregullat e Lojës, Neni 14.1), VAR-i duhej të njoftonte gjyqtarin duke sinjalizuar se goli duhej të anulohej”, thuhet fillimisht në reagimin e shtëpisë së futbollit evropian.

“UEFA do të nisë diskutime me FIFA-n dhe IFAB-in për të shqyrtuar nëse ky rregull duhet të rishikohet në rastet kur prekja e dyfishtë është qartësisht e paqëllimshme”.

Atletico Madrid ka kërkuar shpjegime nga UEFA lidhur me këtë vendim, duke ngritur dyshime mbi interpretimin e rregullit në raste të tilla.

“Atletico Madrid kërkoi shpjegime nga UEFA në lidhje me incidentin, i cili çoi në anulimin e penalltisë të kryer nga Julian Alvarez në fund të ndeshjes së djeshme të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit”, thuhet më tej në reagimin e tyre.

Në përgjigje të kësaj çështjeje, UEFA ka bërë të ditur se tashmë kanë ofruar dëshmi të mjaftueshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat