Superiorja rikthehet me Tirana - Bylis

Futboll

Superiorja rikthehet me Tirana - Bylis

Më: 26 mars 2025 Në ora: 14:55
Pamje nga ndeshja

Abissnet Superiore rikthehet me takimet e kësaj jave pas pushimeve për shkak të ndeshjeve të Kombëtares.

Ajo që spikat është ndeshja mes Tiranës dhe Bylist. Të dyja skuadrat janë në zonë të rrezikshme për të rënë nga kategoria.

Tirana ndodhet në vendin e 8 ndërsa ballshiotët në të shtatin, por me vetëm 1 pik diferencë.

Gjithçka do vendoset në Arenën Kombëtare me dy ekipet që do kërkojnë maksimumin. Në prag të kësaj sfide të rëndësishme, trajneri i bardhebluve Bledi Shkëmbi doli në konferencë për shtyp për mediat.

“Në fakt, kishim nevojë për pjesën fizike, për të rikuperuar, e gjithë skuadra. Disa lojtarë të veçantë, që vinin nga dëmtime dhe mendoj se na bëri mirë.

Do mundohemi të bëjmë paraqitje të mirë, duhet të bëjmë shumë mirë. Luajmë me një kundërshtar që është rivali ynë direkt. Do jetë e vështirë, është ndeshje e rëndësishme si ka ardhur kampionati.

Jemi në moment delikat ku nuk ka shumë javë dhe nuk mund të rikuperosh, nëse gabon me rivalë direkt. Kemi punuar mirë gjithë këto ditë, shpresoj nesër të bëjmë paraqitje të mirë dhe jam i bindur që do e bëjmë”, tha Shkëmbi.

Nga ana tjetër Bylisi ka treguar se përballë skuadrave me emër di të bëjë mirë dhe nuk do jetë aspak inferior.

Në këtë pikë të kampionatit gjithçka po luhet është në gjysmën e dytë të tabelës së klasifikimit pasi 4 skuadrat e para thuajse janë konfirmuar se do jenë në këto pozicione deri në fund.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat