Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Gjakovës ka ndërmarrë aksionin e radhës, për lirimin e hapësirave publike në qytet.
Drejtori i kësaj drejtorie, Fazli Hoxha, kishte dalë për të parë nga afër këtë aksion të lirimit të hapësirave publike në komunën e Gjakovës.
Ai në një deklarim për media ka treguar qëllimin e këtij aksioni, duke theksuar se e gjitha po bëhet për të pasur një ambient më të mirë për qytetarët e këtij qyteti.
“Angazhimi i radhës në kuadër të Drejtorisë për Punë Inspektuese ishte lirimi i hapësirave publike në qytetin e Gjakovës. Një aksion të tillë e morëm për të liruar hapësirat publike që janë bllokuar nga veturat e parkuara vend e pavend, ku po vështirësohet edhe lëvizja e kalimtarëve, si dhe po dëmtohen drunjtë e mbjellur në qytetin tonë”, tha Hoxha.
Hoxha theksoi se veprimet e tilla u shërbejnë të gjithëve për të lehtësuar qarkullimin e këmbësorëve, ruajtjen e drunjëve të mbjellur dhe para se gjithash krijimin e një ambienti ashtu siç e meritojnë qytetarët e Gjakovës.
“Çdo veprim po bëhet në të mirë të qytetit tonë dhe qytetarëve”, ka deklaruar Fazli Hoxha.