Kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, sa ishte e ftuar në Rubikon në përballjen e saj me kundërkandidatin, Ardian Gjini, ndër të tjera tha se beson se do ta fitojë garën për këtë komunë.
Kur u pyet se a do ta uronte kundërkandidatin nëse ai do të shpallej kryetar në natën e së dielës, Kusari-Lila, u shpreh e bindur se ajo do të dalë fituese e kësaj gare.
“Po unë i mirëpres urimet nga zotëri Gjini në natën e 14 nëntorit… Do t’i uroj qytetarët e Gjakovës që kanë zgjedhur kryetaren Mimoza Kusari Lila”, ka thënë ajo.
Edhe kur u pyet për të dytën herë, ajo theksoi se do të marrë urime e jo të bëjë urime në natën e 14 nëntorit.
“Nuk po them që s’do ta uroj, por po them që do të më urojnë”, ka thënë Kusari-Lila.
Edhe herën e tretë me radhë, se si do e uronte kundërkandidatin, ajo prapë iu shmang një urimi të tillë.
“Është shumë e thjeshtë punë të mbarë dhe projekte të mirëfillta, që do të realizohen në mandatin tim”, ka vazhduar ajo.