Apeli shqyrton ankesën e Prokurorisë për aktgjykimin lirues ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Gjakovë

Gjakova

Apeli shqyrton ankesën e Prokurorisë për aktgjykimin lirues ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Gjakovë

Më: 10 tetor 2023 Në ora: 14:18
Foto ilustrim

Gjykata e Apelit, të martën, ka shqyrtuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë lidhur me aktgjykimin lirues ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Gjakovë, Bernard Frrokaj.

Ndryshe, më 9 mars 2023, Frrokaj ishte liruar për herë të dytë nga akuza për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Frrokaj akuzohej se kishte bërë transferimin e përhershëm të një mësimdhënëseje, pa përfillur procedurat ligjore për sistemimin e mësimdhënësve nëpër vende të punës.

Në këtë seancë, gjyqtari referues Hashim Çollaku ka njoftuar se kundër këtij aktgjykimi ankesë ka parashtruar Prokuroria Themelore në Gjakovë, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Kurse, Prokuroria e Apelit ka propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Gjakovë të aprovohet si e bazuar, duke kërkuar që aktgjykimi të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Frrokaj, avokati Shemsedin Pira tha se në ankesën e Prokurorisë nuk sheh ndonjë argument, por vetëm përshkrim të përmbajtjes së aktakuzës.

I njëjti tha se në këtë rast nuk ka të bëjë me shkelje të ligjit.

“Këtu s’kemi as palë të dëmtume, nuk kemi dashje, nuk kemi ligj të shkelur..”, shtoi tutje ai, duke propozuar që të refuzohet ankesa e Prokurorisë dhe aktgjykimi lirues të vërtetohet.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, edhe më 28 mars të vitit 2022 e kishte liruar nga akuza për korrupsion të akuzuarin Frrokaj.

Mirëpo, pas ankesës që kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Gjakovë në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Sipas aktakuzës, më 28 gusht 2019, Frrokaj në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Gjakovës, në kohë të pacaktuar, ka përdorur autorizimet e tij në mënyrë të kundërligjshme, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarës V.K.

Në aktakuzë thuhet se ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që e merr vendimin e 28 gushtit 2019 për transferim të përhershëm të mësimdhënëses V.S në shkollën “Zekeria Rexha” në Gjakovë, duke e favorizuar këtë të fundit, pa përfillur procedurat ligjore për sistemimin e mësimdhënësve nëpër vende të punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje sipas aktakuzës, po ashtu ky vendim është marrë nga ana e tij rreth një vit para pensionimit të ish-mësimdhënëse M.X, me të cilin vendim ka shkelur seriozisht të drejtat e parapara nga Kontrata Kolektive e Arsimit në Kosovë për të dëmtuarën V.K, e cila ishte duke ligjëruar si mësimdhënëse-zëvendësuese me kontratë të përhershme nga DKA në shkollën e lartcekur, ku me vendim të 13 korrikut 2020 e sistemon ne vendin e punës të V.S në fshatin Hereq të Gjakovës.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 të KPRK-së. Kjo vepër penale dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat