Gjakovë, katër persona lirohen nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe deklarim të rremë nën betim

Gjakova

Gjakovë, katër persona lirohen nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe deklarim të rremë nën betim

Më: 25 tetor 2023 Në ora: 11:34
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të pandehurve A.Ç., J.D., dhe G.H., të cilët akuzoheshin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa i  pandehuri B.F., i cili sipas aktakuzës akuzohet për veprën penale “Deklarimi i rremë nën betim”.

Siç thuhet në njoftim, trupi gjykues pas mbajtjes së shqyrtimit  gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit dhe analizimit të të gjitha provave, ka ardhur në përfundim se nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale si në aktakuzë.

Të pandehurit A.Ç., J.D. dhe G.H., akuzoheshin se në konkursin e shpallur nga bordi i drejtorëve të K.R.M. “Çabrati”, për pranimin e kryeshefit ekzekutiv të kompanisë, kanë keqpërdorur detyrën  e tyre zyrtare.

Në atë mënyrë që duke qenë në cilësinë e anëtarëve të komisionit rekrutues kanë shpërfillur udhëzimin administrativ (MASHT) nr. 126/2016, lidhur me parimet dhe procedurat  e njohjes së diplomave, duke përzgjedhur kandidatin që nuk i plotëson kriteret sipas konkursit  si dhe duke i cenuar të drejtat e punësimit të tjerëve në atë mënyrë që kandidatit B.F., në dokumentacionin e konkursit ka prezantuar diplomë të Universitetit “K.”, i lëshuar në Republikën e Shqipërisë, të pa nostrifikuar, si dhe nuk i plotëson kriteret e parapara që të ketë përvojën e  punës në nivelin e lartë drejtues, me ç’rast iu kanë shkaktuar dëm kandidatëve të tjerë”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërsa i pandehuri B.F., akuzohej se në cilësinë e kandidatit, me vetëdije paraqet deklarim të rremë në konkursin e shpallur nga bordi i drejtorëve të K.R.M. “Çabrati”, për pranim të kryeshefit ekzekutiv të kompanisë, paraqet një deklaratë nën betim në kundërshtim me Ligjin për  Ndërmarrjet Publike, se kandidati duhet të ketë pesë (5) vjet përvojë – së paku në një nivel të lartë të menaxhmentit dhe një deklaratë nën betim, në të cilën deklaron se ai i përmbushë kushtet  e kualifikimit.

“Për kundër faktit, i njëjti nuk i plotëson kriteret për përzgjedhje sipas konkursit për pranimin e kryeshefit ekzekutiv, në Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Çabrati” në Gjakovë”, thuhet tutje.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat