Asnjë projekt i ri për Gjakovën, “Ndarje e padrejtë buxhetore, edhe ne jemi Kosovë”

Gjakova

Asnjë projekt i ri për Gjakovën, “Ndarje e padrejtë buxhetore, edhe ne jemi Kosovë”

Më: 26 nëntor 2023 Në ora: 13:35
Foto ilustrim

Komuna e Gjakovës e konsideron të padrejtë ndarjen e buxhetit për vitin 2024 nga Qeveria e Kosovës. Me këtë projektbuxhet që është miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës nuk është vlerësuar të financohet asnjë projekt i ri në këtë komunë, kështu duke i vazhduar ato paraprake. Nga ky institucion komunal vënë në pikëpyetje se si janë ndarë mjete për financim të projekteve të reja në komunën e Shtimes, apo si ka gjetur përkrahje Komuna e Gjilanit që të kryej shpenzimet vetanake me buxhet të shtetit. Po ashtu, edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu thotë se miratimi i këtij projektbuxheti favorizon komunat që qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ndëshkon komunat e tjera.

Në një prononcim për KP, drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj thotë se janë të pakënaqur me buxhetin e ndarë nga qeveria, me të cilin nuk është planifikuar asnjë projekt i ri për ta.

Ai thekson se punimet në rrugën Dollc-Gjakovë kanë nisur që nga viti 2019, derisa janë paraparë ‘vetëm 10 milionë euro në vitin fiskal 2024’, që sipas tij duhen edhe dy vjet të tjera të përfundohet projekti.

Halilaj: Jemi shumë të pa kënaqur me ndarjen e buxhetit 2024 nga Qeveria e Kosovës

"Sa i përket buxhetit të shtetit që miratohet nga qeveria e Republikës së Kosovës, sigurisht që draft buxhetin e kemi në email dhe e kemi analizuar. Jemi jashtëzakonisht të pa kënaqur, për shkak se komuna e Gjakovës nuk e ka asnjë projekt të ri, të futur në buxhetin e vitit fiskal 2024. Ndërsa, të gjitha projektet që përcaktojnë apo që vijnë nga buxheti i shtetit në komunën e Gjakovës janë projekte në vazhdimësi. Vlen të ceket se rruga Dollc-Gjakovë e nisur që nga viti 2019 është paraparë vetëm 10 milionë euro në vitin fiskal 2024, ndërsa duhet edhe dy vjet të tjera pasuese që të përfundohet projekti. Jashtëzakonisht qytetarët e komunës kanë të drejtë të hidhërohen për këtë pjesë, për shkak se projektet në vazhdimësi, po shkon duke u shtyrë, duke iu ditur afati se kur do të përfundojnë këto projekte të financuara nga ministritë e linjës”, thotë Halilaj.

Po ashtu, Halilaj potencon se janë të irrituar se si qeveria aktuale ka vlerësuar që “një Komunë e vogël si Shtimja të financohet me projekte të reja’, ndërsa komuna e Gjakovës jo.

Halilaj, si të pa drejtë e konsideron edhe përkrahjen e shtetit për t’i mundësuar Komunës së Gjilanit kryerjen e shpenzimeve vetanake me mjete të tyre, derisa thekson se komuna e Gjakovës këtë procedurë e kryen me buxhet të vetin.

Halilaj: Jemi të irrituar me ndarjen e buxhetit 2024, edhe Gjakova është Kosovë

"Nëse shohim Komunën e Gjakovës duke i kryer hyrje-daljet me buxhet vetanak, ndërsa e shohim që e ka gjetur përkrahjen Komuna e Gjilanit, për t’i kryer hyrje-daljet me buxhet të ministrisë, sigurisht që jemi të irrituar në këtë pjesë dhe Gjakova është Kosovë. Dhe nëse shohim në Shtime, një komunë që është më e vogël, që ka financime të reja, ndërsa Komunës së Gjakovës, vazhdojnë duke iu financuar projektet në vazhdimësi, sigurisht që është pak irrituese dhe neve me buxhetin tonë vetanak duhet t'i kryejmë këto projekte...Kemi dërguar kërkesa, pavarësisht që ligji i buxhetit e parasheh që nëse një projekt i caktuar hyn në periudhën kohore deri në 3 vjet për t’u mbyllur ai projekt, neve ende na kanë mbetur projektet e financuara nga qeveria Haradinaj, të pa përfunduara”, thekson Halilaj.

Se Qeveria e Kosovës ka bere ndarje politike në Buxhetin 2024 e potencon edhe deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu.

Ajo thekson se miratimi i këtij buxheti i favorizon komunat që qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa i ndëshkon komunat e tjera.

Musliu: Me buxhet favorizohen komunat që qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje

“Unë mendoj se prapë është një buxhet i cili inkurajon komunat, ose i favorizon komunat që qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa i ndëshkon komunat e tjera. Unë mendoj që është një buxhet i cili nuk i plotëson kërkesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në mënyrën se si është projektuar dhe hartuar si projekt buxhet. Unë mendoj se nuk do ta ketë votën time në miratimin e këtij buxheti", thotë Musliu.

Lidhur me këtë çështje, KosovaPress ka tentuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Financave, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Ndryshe, Komuna e Gjakovës në shtator të këtij viti ka miratuar buxhetin në vlerë prej 37 milionë e 438 mijë euro, rreth 6 milionë më shumë se vitin e kaluar.

Nga kjo komunë potencojnë se rritja e buxhetit vërehet tek granti i përgjithshëm në vlerë prej 1.5 milionë euro dhe nga grantet specifike që e kanë mbuluar koston e ligjit të pagave. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat