Në 111 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në Gjakovë është vënë gurthemeli i shtatores së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Derisa donatori i këtij projekti është Gjergj Prenkocaj, qytetar nga Gjakova që jeton në Zvicër.
Në vënien e këtij gurthemeli, morën pjesë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dhe dhjetëra qytetarë të tjerë.
Me këtë rast, kryetari Gjini u shpreh i lumtur që sot është vendosur ky gurthemel, derisa falënderoi Gjergjin dhe të tjerët që kanë kontribuuar në realizimin e këtij projekti.
Gjini potencoi se shumë shpejtë, përmes një datë të shënuar, do të bëhet edhe zbulimi i shtatores së Skënderbeu, për çka tha se do t’i përngjajë asaj në Tiranë, e punuar nga skulptori, Odhise Paskali.
Gjini: Diaspora po ndërton monumentin e Skënderbeut në Gjakovë
“Gjithmonë duket që është e tepërt, por unë besoj që duhet përsëritet që diaspora jonë nuk është gjetur vetëm në luftë, nuk është gjetur vetëm në ndihmën financiare dhe mbështetje, mirëpo është gjetur në momente të cilat janë tepër të rëndësishme si ky sot…Unë si kryetar i Komunës së Gjakovës jam shumë i lumtur që sot po vendosim gurthemelin e monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të cilin e financon Gjergji…Po besoj që një datë shumë të shpejtë të shënuar, edhe do zbulojmë bashkë këtë monument”, tha Gjini.
Ndërkaq, iniciatori dhe financuesi i këtij projekti, Gjergj Prekoccaj bëri thirrje që të ndiqet rruga e Skënderbeut.
Prekoccaj: Gjergji, thelbi i çdo gjëje të mirë që kanë shqiptarët
“Kam nderin sot të jem prezent pranë juve, iu falënderoj nga zemra për mbështetjen… falënderoj kryetarin Ardian Gjinin që më ka befasuar me mbështetjen me vullnetin e tij ta realizojmë këtë projekt së bashku…Dashtë Zoti kështu shqiptarët të jemi të bashkuar, ta ndjekim rrugën e Gjergj Kastriotit, iniciativa ime ka qenë se është thelbi i çdo gjëje të mirë që e kanë shqiptarët, e gëzofshim pra”, theksoi Prenkoccaj.
Figurën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, si të rëndësishme dhe me vlera të larta, e cilësojnë edhe qytetarët.
Ekrem Tërshnjaku, nga Prizreni tha se në këtë ditë të veçantë kur po festohet pavarësia dhe ngritja e flamurit në Vlorë, “i ka hije shqiptarisë”, një organizim i tillë.
Tërshnjaku: Skënderbeu një nga figurat më emlbematike që kanë shqiptarët
“Një ndër figurat më embleme të gjithë shqiptarisë është Skënderbeu, prandaj në këtë ditë të veçanet kur po festojmë pavarësia dhe flamurin e ngritjes në Vlorë, është me të vërtetë një eveniment që i ka hije shqiptarisë. Unë nuk jam prej këtu, kam ardhur nga Prizreni vetëm për këtë eveniment. Urime edhe festa e 28 nëntorit”, tha Tërshnjaku.
Po ashtu, edhe Musha Kabashi nga Gjakova u shpreh falënderues për vendosjen e gurthemelit për shtatores së Skënderbeut, derisa e vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë ngjarje, siç tha ai për të gjitha trojet shqiptare.
Kabashi: Është ditë manifestimi për të gjithë shqiptarët
“Kjo është rëndësi shumë e madhe për jetë për këtë ditë, që është ditë manifestimi për të gjithë shqiptarët kudo që janë në trojet tona, në vendet tona, në Shqipëri, në Kosovë, Preshevë, Medvegjë, çdokënd. Jemi falënderues për këtë ardhje të themelit të shtatores së Gjergj Kastriotit”, potencoi Kabashi.