Komuna e Gjakovës në verën e këtij viti, ka pësuar dy fatkeqësi natyrore me vërshime, dëmet e të cilave janë vlerësuar të jenë mbi 200 mijë euro. Gjatë muajve qershor-korrik nga reshjet e mëdha të shiut dhe breshëri janë dëmtuar rreth 60 fermerë dhe afro 80 hektarë tokë bujqësore. Ndërkaq, në Kuvendin Komunal është aprovuar raporti për vlerësimin e dëmeve dhe është dërguar tek Agjencioni i Menaxhimit dhe Emergjencave, ku më pas do të shqyrtohet nga Komisioni Qendror Qeveritar.
Zyrtari komunal në Drejtorinë për Bujqësi dhe njëkohësisht kryetar i Komisionit vlerësues, Robert Marjakaj ka thënë se me të dal në vendin e ngjarjes kanë vlerësuar se dëmi i shkaktuar arrin vlerën prej 239 mijë e 538 euro.
Vitin 2023, Marjakaj e quan si më fatkeqin ndër vite, sa i përket motit të pa përshtatshëm për zhvillimin e kulturave bujqësore.
Marjakaj: Mbi 200 mijë euro dëme nga vërshimet
"Këtë vit Komuna e Gjakovës ka pasur dy fatkeqësi natyrore, në muajin qershor dhe në muajin korrik...Sivjet bujqësia është e përcjellë me fatkeqësi ose me mot të jashtëzakonshëm, mund të them lirisht se është në ndër vitet, ndoshta nuk mbahet në mend sa i përket kushteve të papërshtatshme klimatike për kulturat bujqësore...Në muajin qershor dhe muajin korrik janë të dëmtuar pothuajse diku 58 fermerë, dhe me në sipërfaqe e cila është e dëmtuar diku 78 hektarë dhe vlera e dëmit të vlerësuar nga komisioni e cila ka dalë në vendin e ngjarjes sillet diku rreth 239 mijë e 538 euro...Nga kjo vlerë shihet se është bërë një dëm i konsiderueshëm nga kulturat bujqësore. Ne si Komision menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes, dhe i kemi verifikuar parcelat kur kanë qenë të dëmtuara. I kemi marrë fotografitë. Po ashtu jemi bazuar në fotografitë e fermerëve që i kanë bërë momentin e fatkeqësive natyrore”, tha Marjakaj.
Ndër të tjera, Marjakaj ka thënë se nga vërshimet dhe breshëri, më së shumti kanë pësuar fermerët e fshatit Rugovë, ngase aty kultivohet perim-kultura. Ai shtoi se të prekurit presin dëmshpërblimin nga buxheti Qeverisë e Kosovës, derisa potencoi se Komuna e Gjakovës nuk ka fond për kompensim të dëmeve në kulturat bujqësore.
Marjakaj: Kryesisht janë dëmtuar fermerët e fshatit Rugovë
"Kryesisht janë dëmtuar fermerët e fshatit Rugovë... Breshër ka rënë edhe në fshatrat tjera, por fermerët e fshatit Rugovë anë dëmtuar më shumë sepse aty kultivohet, ka shumë perim-kultura...Ne kemi pasur edhe dëme edhe në fshatra të tjerë, por kanë qenë dëme të vogla, që nuk kanë hyrë në përqindjen që duhet vlerësuar. Edhe vitin e kaluar kemi pasur dëme përafërsisht ngjashëm në fshatin në Rugovë...Jo, Komuna e Gjakovës nuk ka fond për kompensim të dëmeve në kulturat bujqësore”, potencoi Marjakaj.
Ndryshe, në mbledhjen e 169-të të Qeverisë së Kosovës, është marrë vendimi për ndarjen e nëntë milionë eurove për komunat e prekura nga vërshimet e shtatorit 2022 dhe të janarit 2023.