Spitali i Gjakovës për rastin e 4-vjeçares: Kemi ofruar dokumentacionin e kërkuar, policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet

Gjakova

Spitali i Gjakovës për rastin e 4-vjeçares: Kemi ofruar dokumentacionin e kërkuar, policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet

Më: 21 shkurt 2024 Në ora: 13:52
Foto ilustrim

Spitali i Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë, ka reaguar në lidhje me rastin e vajzës 4-vjeçare që ka vdekur të martën në QKUK dhe e cila fillimisht ishte trajtuar në këtë spital.

Pas dyshimeve të ngritura nga prindërit se personeli mjekësor e ka neglizhuar rastin e vajzës së tyre duke shkaktuar fatalitet, nga Spitali i Gjakovës kanë thënë se kanë ofruar të gjithë dokumentacionin e kërkuar që nga momenti i pranimit të rastit, e deri në momentin e referimit të pacientes për QKUK.

Në lidhje me raportimet për trajtimin e fëmijës (4 vjeçar), fillimisht ju njoftojmë se me datë 16 shkurt 2024, rasti ishte referuar nga urgjenca e mjekësisë familjare, për në Repartin e Pediatrisë, ku pas konsultimit me Pediatrin, Ortopedin dhe Kirurgun, fëmija ndalohet për trajtim të mëtejmë në repartin e Kirurgjisë”, thuhet në reagimin për media.

Sipas tyre, konsultimet dhe mbikëqyrja profesionale mjekësore ka vazhduar derisa gjendja ka filluar të përkeqësohet dhe mjekët kanë konstatuar se nevojitet trajtim i mëtejmë në QKUK, pra trajtim në nivelin terciar.

Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Policia e Kosovës, dhe Prokuroria kanë filluar hetimet. Spitali i Përgjithshëm në Gjakovë, shprehim ngushëllime familjes me rastin e humbjes së fëmijës së tyre, bashkëndjejmë me familjen”, bëhet e ditur më tej në reagimin e spitalit.

Lidhur me rastin kanë reaguar Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, të cilët kanë kërkuar hetim të plotë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat