Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për vjedhje të rëndë dhe blerje, pranim dhe fshehje të sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Sh.Xh., më 7 qershor në Gjakovë, saktësisht në objektin në afërsi të ngrohtores së qytetit, me qëllim të përvetësimit në mënyrë të kundërligjshme të pasurisë së huaj për vete, ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit N.K.
“Në atë mënyrë natën kritike shkon në vendin e lartcekur dhe merr 40 (dyzetë) profile te dritareve të reja të pamontuara, të cilat i dëmtuari i kishte blerë atë ditë në vlerë prej 20 mijë euro, e më pas largohet nga vendi i ngjarjes dhe të njëjtat i shet tek i pandehuri V.D., me ç’ rast të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material në vlerë 20 mijë euro”, thuhet në njoftim.
Për të pandehurin e dytë, V.D., thuhet se atë ditë në Gjakovë, konkretisht në hekurishten e tij, blen nga i pandehuri profilet e dritareve të aluminit, për te cilat ka mundur ta dijë se janë të vjedhura, në shumën e të hollave prej 120 euro.
“Shumë kjo dukshëm joproporcionale në treg e për të cilin fakt dhe këto rrethana e nga çmimi i ulët i blerjes, i pandehuri, ka mundur ta dijë se janë përfituar me kryerjen e veprës penale të vjedhjes, me ç’ rast përfiton materialisht për vete dhe duke e fshehur sendin njëkohësisht i shkakton dëm material të dëmtuarit N.K.”, thuhet tutje në njoftim.