Zyrtari policor në Gjakovë lirohet nga akuza për marrje ryshfeti

Gjakova

Zyrtari policor në Gjakovë lirohet nga akuza për marrje ryshfeti

Më: 11 shtator 2024 Në ora: 11:53
Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Fidan Matit, i cili akuzohej për marrje ryshfeti.

Mati akuzohej se në cilësinë e zyrtarit policor ka marrë 100 euro nga e dëmtuara A.F., të cilën e kishin ndaluar për tejkalim të shpejtësisë.

Aktgjykimi ndaj Matit u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Sulltan Dobraj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Dobraj tha se në mungesë të provave në bazë të të cilave do të vërtetohej se i akuzuari ka kryer veprën penale, Gjykata ka marrë aktgjykim lirues.

Kundër këtij aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë më 6 nëntor 2023, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Fidan Mati, të cilin e akuzonte se në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor në Gjakovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar të holla në mënyrë që të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se zyrtari policor Flamur Frrokaj e kishte ndaluar automjetin të cilin po e drejtonte A.F. dhe e kishte njoftuar të njëjtën se e kishte tejkaluar shpejtësinë nga 50km/h ku ishte duke vozitur në 80km/h, dhe se asaj duhet t’i shqiptohet gjobë 300 euro dhe t’i konfiskohet patentë shoferi për 6 muaj.

Sipas aktakuzës, e dëmtuara njofton zyrtarin policor se jeton jashtë vendit- në Zvicër dhe kërkon nga zyrtari policor mos t’ia marrë patentë shoferin, ku i njëjti e drejton të dëmtuarën të shkojë tek kolegu i tij, i pandehuri Mati i cili ishte në veturën e policisë.

Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara kur afrohet tek automjeti i policisë, i pandehuri Mati ia kërkon 300 euro, teksa e njëjta ishte përgjigjur se 300 euro nuk i ka por vetëm 100. Ai ishte pajtuar me këtë shumë të të hollave dhe e udhëzon që këto të holla t’i fut në librezë dhe mos ta vërejë askush.

Gjthnjë sipas aktakuzës, e dëmtuara shkon në veturën e saj. i merr 105 euro dhe i vendos në librezë, më pas ia jep të pandehurit Mati, ndërsa pasi ai i pranon këto të holla, ia kthen librezën duke mos i dhënë asnjë dëshmi-dokument, për këtë lloj pagese.

Për këtë, i akuzuari Mati ngarkohej se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421, par 1. të Kodit Penal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat