Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar ceremonia për shënimin e ditës për fillimin e punës në Gjykatën Themelore në Gjakovë në objektin e ri, si hap tjetër i rëndësishëm për përmirësimin e efikasitetit të sistemit gjyqësor.
Gjykata Themelore në Gjakovë ka gjithsejtë 17 gjyqtarë dhe 64 persona si pjesë të stafit administrativ, ndërsa dega në Rahovec ka gjithsej 6 gjyqtarë dhe 28 staf administrativ, kurse ajo në Malishevë ka gjithsej 5 gjyqtarë dhe 29 staf administrativ.
Objekt i ri është i pajisur me teknologjinë më të avancuar, ka gjithsejtë 13 salla gjykimi, ku do të ushtrojnë detyrën rreth 17 gjyqtarë, i cili pa dyshim do të ketë rritjen e efektivitetit në Gjykatën e Gjakovës.
Gjatë ceremosisë së funksionalizimit të kësaj Gjykate, i pranishëm ishte edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, i cili theksoi rëndësinë e hapjes së objektit të ri të Gjykatës Themelore në Gjakovë, i cili përmirëson ambientin për gjyqtarët dhe qytetarët, duke ofruar salla të përshtatshme dhe teknologji të avancuar.
Ndërsa kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, e cilësoi këtë një arritje të rëndësishme për sistemin gjyqësor dhe një hap përpara në modernizimin e institucioneve të drejtësisë.
Besim Kelmendi, U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit, shprehu mbështetje dhe përkushtim për një bashkëpunim të ngushtë mes prokurorisë dhe gjykatës, për të siguruar një sistem të drejtë dhe efikas.
Në fjalën e tij kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, shtoi se ky projekt është një kontribut i çmuar për rritjen e cilësisë së shërbimeve publike dhe për forcimin e lidhjeve mes institucioneve dhe komunitetit lokal.
Ndërkaq, Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Nikollë Komani, falënderoi të gjithë për kontributin e tyre në realizimin e këtij projekti dhe premtoi se qytetarët dhe stafi do të angazhohen me gjithë kapacitetet për të përmbushur obligimet kushtetuese dhe ligjore me qëllim që qytetarëve t’u ofrojë shërbime gjyqësore efikase.