Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka vizituar Ngrohtoren e Qytetit të Gjakovës, ku u bë e ditur se Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë e ka subvencionuar këtë ndërmarrje me 1.8 milion euro, me qëllim që çmimi i ngrohjes për qytetarët të jetë i përballueshëm.
Gjatë takimit që Rizvanolli ka pasur me menaxhmentin e kësaj ndërmarrje komunale të qytetit të Gjakovës, u theksua se Ministria e Ekonomisë ka pasur marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë, të cilët e kanë financuar ndërtimin e projektit që të subvencionojnë ndërmarrjen me nga 300 mijë euro në vit për tri vite për blerjen e biomasës, pra 900 mijë euro në total.
“Përtej kësaj marrëveshje, Ministria e Ekonomisë e ka vazhduar subvencionimin e ndërmarrjes për vitin e katërt me radhë për 300 mijë euro, ndërsa në vitin e dytë të operimit (dimri 2022-2023) ka trefishuar subvencionin në 900 mijë euro. Pra, Qeveria e Republikës së Kosovës, deri më sot e ka subvencionuar NQ të Gjakovës me 1.8 milionë euro, dyfishin e asaj që ka qenë e dakorduar fillimisht”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Rizvanolli po ashtu ka theksuar se kjo mbështetje është dhënë me qëllim që çmimi për qytetarët të jetë i përballueshëm, prandaj jemi të shqetësuar që shumë qytetarë kanë pranuar fatura tejet të larta, përkundër faktit që tarifat nga ZRrE nuk janë rritur.
“Dje e vizitova Ngrohtoren e Gjakovës për t’u informuar rreth kësaj çështje dhe i inkurajova që të kenë komunikim të ngushtë me qytetarët për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi. Falënderoj Kryeshefin Blerim Halilaj dhe ekipin për diskutimin e frytshëm”, ka theksuar Rizvanolli.
Ajo i ka njoftuar qytetarët që kanë pasur probleme të tilla, që sipas legjislacionit në fuqi autoriteti i parë për adresimin e ankesës (që duhet të bëhet jo më larg se 45 ditë pas pranimit të faturës) është Ngrohtorja, ndërsa autoriteti kompetent për shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve në rast të mosadresimit të çështjes në mënyrën e duhur është Zyra e Rregullatorit të Energjisë.
“Gjithashtu, inkurajoj qytetarët që të kërkojnë sqarime nga Ngrohtorja për hapat që duhet të ndërmarrin për të ulur faturën. Jam e bindur që me një bashkëpunim të ngushtë mes qytetarëve dhe ngrohtores ka hapësirë që këto sfida të tejkalohen dhe qytetarët të vazhdojnë t’i shfrytëzojnë shërbimet e ngrohtores”, ka bërë thirrje Rizvanolli.