Ndërtimi i infrastrukturës në Aeroportin e Gjakovës, anulohet tenderi afro 2 milionë euro

Gjakova

Ndërtimi i infrastrukturës në Aeroportin e Gjakovës, anulohet tenderi afro 2 milionë euro

Më: 26 nëntor 2024 Në ora: 15:56
Foto ilustrim

Është anuluar projekti afro 2 milionësh për ndërtimin e infrastrukturës për Aeroportin e Gjakovës, që ishte paraparë si projekt dy vjeçar

Vendimi është marrë nga Ministria e Mbrojtjes për shkak të tejkalimit të vlerës së parashikuar nga ana e ofertuesve.

Vlera e parashikuar për këtë kontratë kishte qenë 1 milion e 930 mijë euro, ndërkaq oferta më e lartë për këtë tender ka shkuar deri në 3 milionë e 763 mijë e 852 euro.

Tri konsorciumet që kanë dorëzuar oferta më të ulëta se vlera e parashikuar e kontratës, janë eliminuar për mos përmbushje të kritereve.

“Ministria e Mbrojtjes, Kazerma “Adem Jashari”, Rruga, Magjistralja, Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë, Anulon aktivitetin e prokurimit për shkak se të gjitha ofertat e përgjegjshme kanë tejkaluar buxhetin e planifikuar për këtë projekt”, thuhet në vendimin e Ministrisë.

Kjo ministri kishte paraparë që punët për ndërtimin e infrastrukturës në Aeroportin e Prishtinës të kryehshin brenda 350 ditëve nga dhënia e kontratës.

Aty thuhej se do të ndahen disa hapësira, do të rinovohet shtresa e asfaltit ekzistues dhe se do të ketë shtrim me sipërfaqe të reja asfalti, dhe ndërtim i rrethojës brenda sipërfaqes së aeroportit.

Punimet parashiheshin të realizoheshin në pesë faza. Aty theksoheshin në detaje se si duhej të kryheshin punimet, e materialet që do të duhej të përdoren.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në mars të vitit të kaluar kishte deklaruar se në këtë aeroport planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme me qëllime operacionale për ushtrinë e Kosovës.

“Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes dhe Babaj e Bokës do të shndërrohet në zonë operacionale të FSK-së, në të cilën do të ndërtohen poligone taktike sipas standardeve të NATO-s”, kishte deklaruar Mehaj.

Kujtojmë se para dy vitesh Agjencia Kadastrale e Kosovës i kishte hapur rrugë investimeve strategjike të FSK-së në këtë aeroport.

Me qëllim të përshpejtimit të procedurave, elaborati i shpronësimit për këtë lokacion ishte punuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës ku ishin përfshi 24 parcela.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat