Sivjet, për herë të parë konsumatorët e Ngrohtores së Qytetit në Gjakovë do të kenë ngrohje gjatë gjithë sezonit dimëror, thanë nga kjo ndërmarrje.
“Pra për 6 muajt e sezonës, jemi më komod për këtë pjesë, të gjitha përgatitjet e mundshme i kemi bërë në fillim të sezonës gjatë kohës sa nuk kemi qenë në operim. Njëjtë kemi vepruar edhe me rrjetin e shpërndarjes. Pra të gjitha ato sanime të defekteve që janë evidentu qoftë gjatë sezonës së kaluar, qoftë gjatë kohës kur kemi qenë jashtë operimit pra janë sanu dhe janë bërë remont me kohë kështu që deri më tash, për fat, nuk kemi pasur ndonjë shqetësim”, ka thënë Blerim Halilaj, drejtor i Ngrohtores së Qytetit.
Halilaj thotë se aktualisht kapaciteti prodhues është 16 megavat energji termike ndërsa 1.12 energji elektrike.
“Pra ne kemi akoma kapacitet rezervë të energjisë termike që mundemi me prodhuar këtu. Për fat kemi një numër të konsiderueshëm të konsumatorëve që marrin shërbime prej nesh, pjesa dërmuese e të cilave janë institucione, pra të gjitha institucionet publike ku ne kemi rrjet janë të kyçura në rrjetin tonë”, ka shtuar Halilaj.
Njëra ndër këto institucione është edhe biblioteka e qytetit.
“Këtë vit si asnjëherë më parë kemi pas ngrohje që nga fillimi. Pikërisht këtyre ditëve kur kemi më shumë frekuentues apo studentë lexues të cilët i shfrytëzojnë sallat 12-14, ngase e kemi zgjatur orarin, ata kanë kushte optimale për të qëndruar dhe lexuar në sallë dhe përdorime të tjera të bibliotekës në numër shumë të madh të cilët janë studentë në Prishtinë, Tiranë e Tetovë dhe që të gjithë i gjejnë kushtet kaq të mira në bibliotekë për të qëndruar me orë të tëra”, ka thënë Engjëll Berisha.
Edhe konsumatorët nga amvisëria e pranojnë që ngrohja është në nivel porse çmimet janë rritur shumë.
“Çmimi ka pësuar rritje shumë të madhe kështu që qytetarët po kanë vështirësi në pagesa edhe pse i’u ka bë të mundshme nga pak me i paguar ato që i kanë borxh”, ka thënë konsumatori Jup Cërmjani.
“Pjesa jonë ku unë banoj ka qenë në nivelin më të mirë të mundshëm edhe me të thanë të vërtetën ne jemi të kënaqur”, ka thënë konsumatori Dervish Tahiri.
Përndryshe sivjet është viti i tretë që në Ngrohtoren e Qytetit në Gjakovë ka filluar sistemi i ri i ngrohjes me biomasë. Ky projekt ishte përkrahur nga Bashkimi Evropian në vlerë prej 15 milion Eurosh.