Jugu gjerman nën vërshimin e ujërave

Gjermania

Jugu gjerman nën vërshimin e ujërave

Më: 3 qershor 2024 Në ora: 08:40
Situata e përmbytjes në Pfafenhofen, Bavari

Vërshime ujërash, forca shpëtimi në aksion të pandërprerë kundër përmbytjeve, prishje argjinaturash me thasë rëre: Moti i keq në Gjermani ka mbërthyer keq ditët e fundit jugun gjerman, sidomos Baden-Vyrtembergun dhe Bavarinë. Edhe të dielën zonat jugore të Gjermanisë sërish u përfshinë nga reshje të forta.

Situata mbetet kritike në zonat përgjatë Danubit. Regensburgu shpalli po ashtu gjendjen e katastrofës.

Në Manhing-Pchl, Pfafenhofen të hënën në mëngjes u prish një argjinaturë dhe banorëve i është kërkuar të shkojnë në katet më të larta të shtëpive. Kurse në Bavari u evakuuan të dielën rreth 3000 vetë.

Image
Danubi del nga shtrati në RegensburgFotografi: Pia Bayer/dpa/picture alliance

Në disa zona gjatë fundjaës brenda një dite ra kaq shumë shi sa mesatarisht bie për një muaj. Në Kisleg, në landin e Baden-Vyrtembergut ra brenda një dite 130 litra shi për metër katror, sipas Shërbimit Metereologjik Gjerman, shkruan dpa. Po ashtu edhe në zona të tjera dendësia e shirave ka qenë shumë e lartë. Megjithëse reshjet në jug të Gjermanisë janë rralluar, gjendja mbetet e tensionuar.

Niveli i ujërave të lumenjve rritet, por përmbytja pritet të zhvendoset në zona të tjera për shkak të rrjedhës. Niveli i Rinit dhe lumit Nekar kan shënuar rekorde lartësie. Pranë Karlsruhe Rini kaloi pragun e 7,5 metrave.

 

Image
Përmbytje në HemendorfFotografi: Pia Bayer/dpa/picture alliance

Scholz në zonat e përmbytjes

Paraditen e së hënës, kancelari Olaf Scholz (SPD) i shoqëruar nga ministrja e Brendshme, Nancy Faeser (SPD) viziton zonat e përmbytjes në Bavari. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të landit bavareu, Scholz Faeser shkojnë në Reichershofen, ku takohen edhe me kryeministrin e landit bavarez, Markus Söder.

Pas humbjes së jetës të një zjarrfikësi 42 vjeçar gjatë një aksioni shpëtimi, kancelari gjerman, Olaf Scholz falënderoi të dielën trupat e emergjencës dhe shprehu respektin për punën që po bëjnë në zonat e përmbytjes. "Vdekja e një zjarrfikësi në Pfafenhofen më ka prekur", shkroi politikani socialdemokrat të dielën në platformën X. "Mendimet e mia janë tek të afërmit dhe koleget e kolegët."

Image
Fotografi: Carsten Koall/dpa/picture alliance

Në Pfafenhofen në Ilm në Bavarinë e sipërme një zjarrfikës humbi jetën gjatë një aksioni shpëtimi. Pas ditësh me reshje të forta në mjaft zona në Bavari dhe Baden-Vyrtemberg kanë dalë nga shtrati lumenjtë duke përmbytur mjaft zona në jugun gjerman. Sidomos të prekura janë disa zona në Augsburg, Bamberg, Regensburg, Nuremberg, ku pati evakuime. Reshjet janë të forta, thuhet nga Shërbimi Meterologjik Gjerman. Kur kjo "ndesh me tokën e ngopur, atëherë mund të ketë sërish shpejt vërshime ujërash".

Dy vagonë të një treni ICE dolën nga shinat të shtunën vonë për shkak të rrëshqitjes së tokës - për fat nuk pati të lënduar. 185 pasagjerët u evakuuan. Organizata e Ndihmës Teknike, THW në Gjermani shtoi në fundjavë 1800 forca për ndhmë në jug të Gjermanisë. Edhe ushtria gjermane ka shkuar në disa zona për ndihmë./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat