Policia qëllon për vdekje një mësues, teksa ai përpiqet të therë të dashurën e tij

Gjermania

Policia qëllon për vdekje një mësues, teksa ai përpiqet të therë të dashurën e tij

Më: 4 nëntor 2024 Në ora: 23:36
Policët kanë bllokuar rrugët përreth vendit të ngjarjes

Nuremberg – Një incident tragjik ndodhi të shtunën në mëngjes, kur policia qëlloi për vdekje një burrë 51-vjeçar në apartamentin e tij, pasi ai po përpiqej të sulmonte me thikë të dashurën e tij 41-vjeçare.

Burri jetonte prej më shumë se 20 vitesh në një apartament me dy dhoma në rrugën Wunibald në Nuremberg (Bavari). Ai kishte një të dashur prej shumë vitesh, e cila nuk jetonte me të, por herë pas here e vizitonte. Kështu ndodhi edhe atë fundjavë që rezultoi fatale për të.

Sipas informacioneve nga BILD, të premten mbrëma kishte ndodhur një zënkë e zhurmshme në apartament. Një fqinje tha: “Të dy po bërtisnin, kjo mund të dëgjohej në të gjithë ndërtesën.”

Disa orë më vonë shpërtheu sërish një debat. Këtë herë ishte aq i ashpër, saqë banorët telefonuan policinë rreth orës 10:30 të mëngjesit. Kur patrulla e parë mbërriti disa momente më vonë, gruaja 41-vjeçare po bërtiste për ndihmë brenda apartamentit.

Dera u hap me forcë, armë zjarri u përdorën

Meqenëse askush nuk po e hapte derën, policët e thyen atë. Brenda apartamentit, burri qëndronte i armatosur me një thikë përballë të dashurës së tij, duke e kërcënuar rëndë, sipas policisë.

Pasi 51-vjeçari nuk e lëshoi armën edhe pas disa urdhrave të përsëritura, njëri nga policët qëlloi. Ai mori plagë të rënda dhe vdiq në apartament. Gruaja 41-vjeçare dhe policët e përfshirë mbetën të padëmtuar fizikisht.

Mësuesi jepte mësim në gjuhë gjermane dhe histori

Në shkollën e mesme në Zirndorf (rrethi Fürth), 51-vjeçari ishte një mësues i dashur që jepte mësim në gjuhë gjermane dhe histori. Edhe në ndërtesën ku banonte, fqinjët e përshkruanin si njeri të sjellshëm. Thuhet se ai ndihmonte gratë e moshuara duke u mbajtur çantat.

Hetimet për ligjshmërinë e përdorimit të armës po i kryen – siç është zakonisht në raste të tilla – Zyra Kriminale e Landit Bavarez (LKA) nën drejtimin e Prokurorisë së Nuremberg-Fürth.

comment1 koment
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat