Në Gjermani javëve të fundit kanë ndodhur vërshime që nuk mbahen në mend.
Nga këto vërshime kanë humbur jetën shumë qytetarë dhe janë shkaktuar dëme të shumta materiale.
Në mesin e qindra viktimave të këtyre vërshimeve janë edhe qifti Delia nga fshati Zahaq i Pejës.
Në shtëpinë e tyre në Kosovë nuk jeton askush pasi e tërë familja Delia jeton në Gjermani.
Fqinji i tyre rrëfen se Shaban Delia këtë vit kishte planifikuar të vijë në Kosovë.
“Ka dashur të ndërtojë shtëpi në Kosovë, por unë i thash “mbase ke ndërmend me jetua në Gjermani mos ndërto shtëpi në Kosovë. Nëse vendos me u kthye eja ndërtoje shtëpinë në vendin tënd”. Kanë qenë tre vëllezër. Tash Shabani paska shkua, kanë mbetur edhe dy vëllezër. Të gjithë jetojnë jashtë”, rrëfen pHajrullah Hyseni, fqinj i Shaban Delisë.
Banori tjetër i këtij fshati, Gani Uka, thotë se me të ndjerin Shaban Delia kanë qenë shokë dhe se ai ka qenë i dashur për gjithë fshatin.
“Shabanin e kam pasur shokë në shkollën fillore, ndërsa familjen e ngushtë nuk ia njoh. Na ka ardhur shumë keq për të. Ka qenë njeri i mirë dhe i urtë. Ndjeje shumë keqardhje për atë dhe të gjithë viktimat e atyre përmbytjeve. Ajo është fatkeqësi. Sot atyre nesër mund të na ndodh edhe neve”, deklaroi Gani Uka.