Fjala për akademinë përkujtimore kushtuar Isuf Qetaj

Gjermania

Fjala për akademinë përkujtimore kushtuar Isuf Qetaj

Nga: Ibrahim Rexhaj Më: 28 mars 2022 Në ora: 16:05
Isuf Qetaj

E dashur familja Qetaj, të nderuar organizatorë të kësaj akademie, të nderuar pjesëmarrës

Jemi mbledhur sot, në këtë Akademie Përkujtimore, për ta nderuar figurën e luftëtarit të Kosharës dhe veprimtarit të Degës të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Gjermani, Isuf Qetaj.

Në cilësinë e anëtarit të Kryesisë të Degës, i propozuar nga kryetari Osman Ferizi dhe aprovuar nga Kryesia e zgjeruar, në mbledhjen e 20 marsit, në Heilbron, më autorizoi mua, Ibrahim Rexhaj, që në emër të Degës të LDK-së, të shpreh bashkëndjenjen e thellë të dhimbjes, për shkuarjen në amëshim të anëtarit të Kryesisë të Degës dhe kryetarit të Nëndegës, në Mynih, Isuf Qetaj.

Ishte vetëm 18 vjeçar, kur Isufi la Gjermaninë dhe udhëtoi për në Koshare, me misionin e shenjtë të luftëtarit të lirisë. Paraprakisht, bëri përgaditjen e duhur ushtarake, në pikën ushtrimore të Padeshit, pastaj do të inkuadrohej në beteja, të cilat përbëjnë luftën e mirënjohur të Kosharës, si legjitimuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Isuf Qetaj u kthye pranë familjes në Gjermani, me plagë trupi, por fitimtar e krenar nga Lufta e Kosharës, tashmë, më i madhuar, më i pjekur dhe plot energji dhe entuziasëm, për aktivitete në Mërgatë. Ndërkohë, ai militon në LDK-e. Karrierën në parti, do ta fillojë me zgjedhjen delegat në Degë dhe që këtej zgjidhet anëtar i Kryesisë të Degës të LDK-së, njëherësh edhe i Shoqatës Kulturore-Humanitare, Shqiptaro-Gjermane, "Sali Çekaj", ndër më të suksesshmet në Gjermani dhe më gjerë. 

Në zgjedhjet e radhës të LDK-së, u bë shkrirja e Aktivave, duke u zëvendësuar me Nëndegë. Me këtë rast, Isuf Qetaj zgjidhet kryetar i Nëndegës në Mynih. Isufi kishte zell dhe ambicie për veprimtari dhe karrirë politike, përcjellës i vëmendshëm i rrjedhave politike në Kosovë, me theks të veçantë në LDK-e.

Isufi ynë shquhej për energji dhe vullnet për aktivitete, kryesisht, në Mynih, për organizime të ngjarjeve historike në Kosovë, përgjatë tri dekadave të fundit, që llogaritet si historia e kohës më të re të Kosovës.

Kolegu ynë, Isuf Qetaj, tashmë, nuk është në jetë fizikisht. Por, vepra dhe kujtimi i tij mbetën, përjetësisht, në mendjet dhe zemrat tona, fort të lënduara nga mungesa e tij.

Lavdi jetës dhe veprës të luftëtarit dhe veprimtarit të shquar, Isuf Qetaj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat