Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku njoftoi se së bashku me bashkëpunëtorë kanë mbajtur tubim me bashkatdhetarë e veprimtarë të partisë në degën e Gjermanisë.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku tha se në këtë takim kishte parë njerëz që kishin nisur kontributin për LDK-në dhe Kosovën që nga ditët e para; siç dhe pashë njerëz që duan ta nisin kontributin nga e para.
“LIDHJA NË GJERMANI
Këtë të diel, me bashkëpunëtorë, qëndruam në Frankenthal të Gjermanisë. Aty mbajtëm tubim me bashkatdhetarët tanë e me veprimtarë të LDK-së në degën e Gjermanisë.
Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme, që ndonëse shumë larg shtëpisë, gjetëm kaq shumë ngrohtësi; mes vëllezërve e motrave tona në mërgatë. Ishte kënaqësi e veçantë, që pas një kohe të gjatë, pritja e tyre për Lidhjen Demokratike të Kosovës ishte me po aq përkushtim, me po aq zell, me po aq dëshirë, siç e kishim lënë shumë kohë më parë.
Në këtë takim pashë njerëz që kishin nisur kontributin për LDK-në dhe Kosovën që nga ditët e para; siç dhe pashë njerëz që duan ta nisin kontributin nga e para. Pashë burra e gra, të rinj e të reja, që Kosovës i kanë dhënë pasurinë e saj më të madhe – i kanë dhënë mërgatën. Kjo mërgatë e jona, është shtyllë historike për Kosovën. Është e pazëvendësueshme, e papërsëritshme dhe e paarritshme. Për këtë duhet të jemi krenar, për këtë duhet të jemi të zëshëm, për këtë duhet të jemi të qartë. Ju faleminderit të gjithëve për kontributin e madh në çdo etapë zhvillimore të Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai tha se LDK duhet të përfundojë misionin e nisur 33 vite më parë, të një shteti të pavarur e sovran, të anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me SHBA-të.
“Kam ardhur këtu për të shtruar ftesën për një besëlidhje. Që të bëhemi të gjithë bashkë, t’i kthehemi qëllimit tonë fillestar të organizimit politik – atë që na mësoj prijësi ynë historik Rugova – e të ringritemi të gjithë për një qëllim të vetëm: t’i japim atdheut tonë të ardhme, ta dërgojmë Kosovën në familjen Evropiane. Ky është misioni ynë historik. Ne duhet të përfundojmë misionin e nisur 33 vite më parë, të një shteti të pavarur e sovran, të anëtarësuar në NATO e BE dhe me miqësi të përhershme me SHBA-të. Dhe në këtë mision historik, mërgata jonë, bashkatdhetarët tanë, Dega jonë në Gjermani, të djathtit, rugovistët, patriotët e të gjitha anëve, kanë rol monumental.
Le të bëhemi bashkë. Le të qëndrojmë krah njëri tjetrit. Le t’i japim vetes një familje të fortë politike, e t’i japim Kosovës, fëmijëve tanë e gjeneratave të tjera, një të ardhme euroatlantike.
Deri në takimet e radhës,
Ju faleminderit bashkatdhetarë!”, përfundoi ai.
Postimi i plotë: