Klubi letrar Martin Camaj, në shenjë nderimi të ngjarjeve të Marsit në vite, ka bërë traditë që çdo vit të organizojë orë letrare në qendra të ndryshme të Bavarisë. Klubi e ka quajtur këtë traditë organizative "Marsi Shqiptar". Referatin për Marsin Shqiptar dhe datat historike e mbajti nënkryetari i Klubit Letrar, poeti Lumni Nimani.
Ai theksoi se nga 2 Marsi i vitit 1444, me Besëlidhjen e Madhe, deri te ngjarjet e fundit si Dita e Mësuesit dhe demostratat e 11 Marsit, ky aktivitet është emëruar "Marsi Shqiptar". Aktiviteti fillimin e ka në Lokalet e FC Alba të Augsburgut, ku morën pjesë poetë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Bashkimin Europian, dhe këtë vit u organizua në bashkëpunim me dy shkolla shqipe nga Dingolfingu e Landau.
Nxënësit e dy shkollave kënduan këngë dhe vallëzuan valle të bukura të atdheut, pastaj i kënduan heronjëve, mësueseve, dhe poetëve në shekuj. Programi kulturor u moderua nga nxënëset Leonida Gashi dhe Elsa Smakiqi, ndërsa Ora Letrare u moderua nga aktivisti dhe pedagogu i njohur, z. Mislim Berisha. Poezitë nga librat e tyre poetike recituan poetë të ndryshëm si Sylë Bajrami, Lumni Nimani, Bashkim Halilaj, Mislim Berisha, Bahri Shyti, Tefik Jaha, etj. Shumë poezi u kushtuan atdheut, nënës, mësuesit, dhe ndjenjave të mërgimtarëve.
Klubi Letrar Martin Camaj falenderon bashkëorganizatorët e orës letrare, si dhe mësueset Mervete Ismajli dhe Ismije Demoli nga shkollat shqipe në Dingolfing-Landau. Gjithashtu, falenderon këshillin e prindërve, të drejtuar nga Tefik Jaha, aktivistin Sevdail Gashi, dhe kryetarin e shoqatës ILIRIDA, Kushtrim Morina, për kontributin e tyre në realizimin e kësaj mbrëmjeje të mrekullueshme.
Në fund të programit, si traditë e Klubit Letrar, të gjithë nxënësit e dy shkollave shqipe u dhuruan një libër nga poetët tanë. Klubi Letrar falenderon të gjithë bashkorganizatorët, poetët, shkollat shqipe, dhe prindërit për kontributin e tyre në realizimin e kësaj ore letrare të paharrueshme.