Në takim me diasporën në Mynih, Kurti: Çdo përparim që e shihni në Kosovë e ka edhe meritën tuaj

Gjermania

Në takim me diasporën në Mynih, Kurti: Çdo përparim që e shihni në Kosovë e ka edhe meritën tuaj

Më: 12 tetor 2024 Në ora: 20:15
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka zhvilluar një takim me bashkatdhetarët që jetojnë në Mynih të Gjermanisë.

Në këtë takim ku është biseduar për zhvillimet aktuale në Kosovë, rolin e mërgatës, i cili vlerësohet lart nga qeveria dhe populli ynë, kryeministri Kurti theksoi se “jemi krenarë për lidhjet e forta që ekzistojnë me diasporën tonë”.

Ai shtoi se jemi gjithashtu krenar me rolin e Gjermanisë dhe përjetësisht falënderues, duke theksuar rolin e rëndësishëm që Gjermania e ka luajtur në çlirimin e Kosovës.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se duke folur për mërgatën dhe rolin e saj, Kurti ka thënë se ajo është një faktor i cili jo vetëm ka ndihmuar Kosovën sidomos gjatë viteve të 90-ta, në luftë, para luftës e pas luftës, por pa të cilën çlirimi dhe zhvillimi i mëtejmë nuk do të ishte i mundur.

Duke vërë në pah se çdo përparim në Kosovë në çdo element e ka edhe meritën e diasporës, kryeministri Kurti tha se nëse para tri dekadave ju kemi ftuar që të kontribuoni duke sakrifikuar, tash ju ftojmë që të fitoni duke investuar.

“Brezi i të rinjve e të rejave që po edukohet këtu duhet ta shohë se ka dy mundësi për të jetuar e krijuar. Ky brez mund të jetë ai që fiton dijen gjermane në atdheun e vet dhe e fton dijen gjermane në atdheun e vet. Ne, me institucionet, ju kthejmë disi juve borxhin, dhe ju i tregoni shoqërisë e shtetit gjerman një vend të ri prodhimi, që prodhon edhe të mira edhe dije. Ne jemi për një Republikë të fuqishme dhe për një shoqëri të hapur. Si të tillë ne mund ta rrisim e ngrisim vendin tonë dhe shkojmë të qetë në çdo dialog të jashtëm nga i cili veçse fitojmë e përfitojmë për popullin tonë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Në këtë takim, Kurti i ka njoftuar bashkatdhetarët në Gjermani me të arriturat në këto tri vitet e fundit, duke potencuar se papunësia e përgjithshme në Kosovë në tri vitet e fundit ka rënë nga 25.8% në 10.7%, vendet e punës janë shtuar nga 350 mijë në pranverën e vitit 2021 në 425 mijë në vjeshtën e vitit 2024.

E arritur tjetër është ekonomia e vendit, për çka kryeministri tha se krahasuar me kohën kur erdhëm në qeverisje Bruto Produkti Vendor është rritur për 33 për qind, ndërkaq buxheti i shtetit për 35 për qind. Po ashtu, ai përmendi punën e qeverisë në luftimin e krimit dhe korrupsionit, përmirësimin në sistemin shëndetësor, e shumë fusha të tjera që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve tanë.

E në fund të fjalës së tij, kryeministri Kurti theksoi se është lehtësuar procesi i votimit të diasporës, duke i ftuar secilën e secilin të mund ta shfrytëzojnë të drejtën e votës për Kosovën.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat