I riu Dardan Jetishi, instrumentist shumëdimensional në Bielefeld

Gjermania

I riu Dardan Jetishi, instrumentist shumëdimensional në Bielefeld

Nga: Sylejman Salihu Më: 26 nëntor 2024 Në ora: 12:39
Dardan Jetishi

Në klubin “Kosova” të Bielefeldit ne Gjermani ka një kohë që funksionon ansambli muzikor “Qamili i Vogël”, i cili shpërfaq programe artistike me vlera të mirëfillta  burimore muzikore shqiptare përpara bashkatdhetarëve. Por bukuria e këtij ansambli është se me këtë aktivitet muzikor merret edhe i riu  Dardan Jetishi, me origjinë nga Ferizaj, i cili sapo ka mbushur 16 vjet. Dardani me këtë aktivitet muzikor merret pothuajse qëkur ishte i vogël, madje siç e thotë vetë, që në moshën 3 vjeçare, ku edhe ka filluar të vesh kostumet kombëtare dhe me plis në kry, ka kënduar këngë shqipe.

Meqë edhe i ati i tij Emrushi është instrumentist, këtë hobi muzikor ia ka mësuar edhe të birit, duke bërë që arti muzikor të trashëgohet tek Dardani. Kështu ai duke pasur një talent dhe njē vesh muzikor, ka arritur me punë permanente që të zotërojë mirë disa instrumente siç janë :kitara, violina, çiftelia, sharkia dhe piano.

Madje për instrumentin e pianos, Dardani ka ndjekur edhe një kurs privat te nësuesja e muzikës  zonja Melzer, në Bielefeld,  e cila i mësoi Dardanit artin e të ekzekutuarit në piano, aq sa ai mund të performojë edhe vepra apo fragmente muzikore  nga klasikët e mëdhenj të  muzikës gjermane. Dardani thotë se veç këtyre ai është edhe një baterist i vyer, që ia shton edhe më shumë shumësinë  veprimtarive dhe shkathtësive të tij muzikore. Por dashuria e tij e madhe mbetet muzika shqiptare ,të cilës nuk i ndahet, përkundër obligimeve që ka si nxënës në një kolegj shkollor.

Madje ai nuk përton të pohojë se ka edhe pëlqimet e tij muzikore, të cilat janë :”Moj zeshkanja ime” dhe “Moj bjondinë me sytë e zi”, të cilat i këndon me shumë kënaqësi. Dardani është i papërtuar, i qetë, i sjellshëm dhe për çdo aktivitet muzikor, është i gatshëm të dalë në skenë dhe t’ i dëfrejë e t’ i argëtojë të pranishmit. Ai madje ka performuar pika muzikore  edhe kur ishte i vogël në programet festive, që i përgatiste Shkolla Shqipe. Dardani për  çdo fundjavë me instrumentet e tij vjen në ambientet e klubit dhe  me anëtarët e tjerë të ansamblit si edhe shkathtësinë e gishtave të tij sjell te të pranishmit  melodi, tinguj e nota të bukura muzikore, që janë një ushqim shpirtëror veçanërisht për kurbetçarët. Dardanit i urojmë suksese të vazhdueshme  në të gjitha performancat e tij muzikore!

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat