Takimet e Mynihut 2024

Gjermania

Takimet e Mynihut 2024

Nga: Dr. Eshref Januzaj Më: 29 nëntor 2024 Në ora: 08:54
Foto ilustrim

Më 29 dhe 30 nëntor 2024, në Mynih të Gjermanisë do të organizohen Takimet e Mynihut, një ngjarje e rëndësishme shkencore, e cila do të mbledhë shkencëtarë dhe shkencëtare shqiptarë dhe përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor nga shumë shtete.

Takimet e Mynihut dhe simpoziumi shkencor, të cilat organizohen çdo vit nga Shoqëria e Akademikëve Shqiptarë DIJA e.V. në Mynih (Gjermani), janë një nismë e filluar nga komuniteti akademik shqiptar në Mynih për të krijuar një platformë promovuese për iniciativat shkencore dhe hulumtuese që synojnë bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve të komunitetit shqiptar të mërgatës dhe institucioneve përkatëse në vendet amë.

Edhe këtë vit, Takimet e Mynihut organizohen në bashkëpunim me Institutin Shkencor Mbarëkombëtar Alb-Shkenca dhe mbështetje nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ dhe Qyteti i Mynihut (Gjermani).

Pjesëmarrës në këtë aktivitet do të jenë studiues nga shtete të ndryshme, përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Francën, Suedinë, Norvegjinë, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-të, Holandën, Belgjikën, si dhe Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke krijuar një mundësi të shkëlqyer për shkëmbimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit në fushën e shkencës.

Në këtë ngjarje, të pranishëm do të jenë edhe përfaqësues të lartë të institucioneve nga Shqipëria dhe Kosova, përfshirë ministritë përkatëse: Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës, Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.

Përfaqësues diplomatikë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut në Gjermani do të jenë gjithashtu të pranishëm, duke siguruar mbështetje dhe promovuar rëndësinë e shkencës dhe inovacionit për zhvillimin e rajonit.

Drejtues të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit të Shqipërisë dhe të Këshillit Kombëtar të Shkencës të Kosovës, dy akademitë e Shkencave, të Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe rektorët e universiteteve më të mëdha nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gjithashtu të ftuar, duke theksuar rëndësinë e arsimit të lartë në zhvillimin e shkencës dhe inovacionit në rajon dhe për të kontribuar me ekspertizën dhe njohuritë e tyre në diskutimet dhe panelet e ndryshme.

Takimet e Mynihut do të zhvillohen në disa seanca të rëndësishme, si tryeza të ekspertëve, panele diskutimesh, ligjërata të ftuara dhe simpozium shkencor. Do të trajtohen tema të ndryshme, duke përfshirë rolin e gruas shqiptare në shkencë, si dhe mundësitë e bashkëpunimit mes shkencëtarëve nga Diaspora në kërkimin shkencor.

Një nga synimet kryesore të Takimeve të Mynihut 2024 është krijimi i një Këshilli Shkencor të Diasporës, i cili do të shërbejë si një urë lidhëse mes shkencëtarëve shqiptarë në Diasporë dhe institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo iniciativë ka për qëllim të forcojë rrjetin e bashkëpunimit shkencor kombëtar dhe të lehtësojë identifikimin e mundësive për projekte shkencore të përbashkëta, si mes shkencëtarëve në Diasporë, ashtu edhe me kolegët në vendet e origjinës.

Temë e diskutimit do të jetë gjithashtu mundësia e përfshirjes së shkencëtarëve shqiptarë në projekte shkencore të financuara nga Bashkimi Evropian, një mundësi që do të kontribuonte në avancimin e kërkimit shkencor dhe infrastrukturës kërkimore në shtetet tona.

Si ide konkrete për realizime afatshkurtra do të elaborohen mundësitë për jetësimin e shkollave verore ose dimërore në universitetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut me ligjërues nga Diaspora. Po ashtu, do të ofrohen kurse kompakte gjatë një viti akademik apo ligjërata serike gjatë një semestri.

Si planifikime afatgjata do të shqyrtohen mundësitë për mobilitet të studentëve dhe hulumtuesve në hapësirën akademike shqiptare, ngritja e studimeve të ekselencës si dhe konceptimi dhe zbatimi i projekteve shkencore të përbashkëta në rajon.

Takimet e Mynihut 2024 synojnë të ofrojnë një platformë për shkëmbimin e njohurive, forcimin e bashkëpunimit mes shkencëtarëve shqiptarë në Diasporë, nxitjen e zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë në vendet tona si dhe për të thelluar lidhjet mes institucioneve dhe individëve që kontribuojnë në avancimin e shkencës dhe inovacionit, duke e bërë kështu një hap të rëndësishëm për të ardhmen e kërkimit shkencor shqiptar.

Mynih, më 20.11.2024
Dr. Eshref Januzaj

Kryetar i Kryesisë,
Shoqëria e Akademikëve Shqiptarë - DIJA e.V., München, Gjermani

Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm,

Instituti Shkencor Mbarëkombëtar "Alb-Shkenca".

commentKomento
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat