Në prani të mysafirëve, prindërve, fëmijëve dhe rinisë aktive, u mbajt një program kulturor, ku u bë një rezyme e aktiviteteve sportive dhe kulturore të vitit që po lëmë pas.
FC Alba, tashmë një shoqatë familjare e njohur mes bashkatdhetarëve në Augsburg dhe rrethinë, ka krijuar një platformë që bashkon sportin, kulturën dhe familjet shqiptare. Ajo numëron tre ekipe futbolli, rini aktive në valle, këngë, recitime dhe seminare për të rinjtë, si dhe Forumin e Gruas Alba, që kontribuon në organizime të ndryshme në Augsburg dhe rrethinë.
Z. Haki Gashi, Kryetar i FC Alba, deklaroi se viti 2024 ishte një vit i mbushur me sfida dhe suksese si në fushën sportive, ashtu edhe në aktivitetet kulturore, duke theksuar angazhimin dhe bashkimin e familjeve shqiptare në Augsburg e përtej.
Ndihmëstrajneri Mërëgim Lutolli raportoi për performancën sportive të ekipeve Alba 1, Alba 2 dhe Alba Senior, të cilat arritën të ruajnë pozitat e tyre në pjesën e epërme në ligat përkatëse, duke i hapur rrugë planeve të reja për vitin e ardhshëm.
Nga ana kulturore, kryetari i degës për kulturë, z. Sami Kuqi, vuri në dukje organizimet festive si ato për Pavarësinë e Kosovë me 17 Shkurt, Ditën e Flamurit me 28 Nëntor, si dhe Festën e verës me 6.Korrik me çrast u festua edhe 10 vjetori i saj, pastaj pjesëmarrjen aktive në ngjarje të qytetit të Augsburgut. Valltarët e Alba-s hapën solemnisht turnirin e futbollit të Kosovës në diasporë. Fëmijët dhe të rinjtë u përgatitën artistikisht me këngë e valle nga koreografja znj. Valjeta Kuqi, ndërsa për rrjedhjen sam ë të mirë të recitimeve dhe performanca tjera u përkujdes mësuesja e gjuhës shqipe, znj. Ardita Sokoli.
Forumit të Gruas Alba gjithashtu shënoi një vit të suksesshëm duke organizuar takime me gratë shqiptare me qëllimtë forcimit të rilit të gruas në diasporë.
Znj. Adelina Osmani në emër të prindërve falënderoi znj. Valjeta Kuqi për angazhimin e saj në përgatitjen e fëmijëve dhe rinisë për aktivitetet kulturore të shoqatës.
Z. Mislim Berisha shtoi se FC Alba pati vizita të shumta nga personalitete të njohura të jetës sociale dhe politike, si Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, znj. Gentiana Mburimi, Konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës, z. Afrim Nura, deputetja e Bundestagut znj. Ulrike Bahr, kryetarja e dytë e Augsburgut znj. Martina Wild, si dhe ministri i Shtetit Shqiptar, z. Taulant Balla. Të gjithë vlerësuan lart punën dhe aktivitetet e FC Alba-s.
Në fund, ndërmarrësi i sukseshëm e njëherit edhe nënkryetar i FC Alba, Z. Nexhmi Sokoli i falënderoi bizneset shqiptare për ndihmën financiare, pa të cilën kjo shoqatë nuk do të ishte kaq e suksesshme. Ai theksoi se FC Alba ka arritur të komunikojë me mbi 10 mijë bashkatdhetarë, duke krijuar një ndikim të gjerë në komunitetin shqiptarë por edhe duke u bërë shoqatë e njohur në strukturat komunale të Augsburgut.
Kryesia e FC Alba Augsburg përfundon me një urim të ngrohtë për të gjithë bashkatdhetarët, duke i uruar Kërshëndellat dhe një Vit të Ri të mbushur me shëndet dhe suksese.
Me respekt, Kryesia e FC Alba Augsburg