Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, është mbajtur mbledhja e vlerësimit ditor të Komitetit për menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, në të cilin janë të përfshira institucionet relevante komunale e regjionale.
Haziri ka treguar se brenda 48 orëve në Gjilan tre qytetarë kanë humbur betejën me COVID-19.
“Fatkeqësisht, 3 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19 brenda 48 orëve. Ky është alarm i madh për të gjithë për kujdes të shtuar. Virusi nuk bartet ndryshe pos në kontakte të drejtpërdrejta. Distancohuni nga ndejat e pas darkës, mbani maskat, distancën dhe higjienën”, ka thënë Haziri, në konferencën për media pas takimit.
Haziri ka thënë se ka pasur vështirësi me furnizim të oksigjenit, por nuk ka ndodhur asnjë rast që të mbetet një pacient pa oksigjen.
“Shpresoj se furnizimi i vazhdueshëm me oksigjen në Spitalin e Përgjithshëm të përmirësohet në ditët ne vijim”, ka thënë Haziri.
Haziri njoftoi se Komuna e Gjilanit është e vetmja që kryen shërbime shëndetësorë në shtëpitë e pacientëve të prekur me COVID-19, ku vetëm dje janë bërë 60 kontrolla.
Gjendja e përgjithshme në Gjilan është si vijon: Nga 7151 mostra, 2828 persona kanë rezultuar pozitivë, 2395 janë shëruar, 85 pacientë e kanë humbur betejën me COVID-19, 349 raste aktive, 53 të konfirmuar me COVID-19 janë në hospitalizim dhe 70 mostra në pritje.