79 pacientë të cilët janë të prekur me virusin COVID-19 janë të shtrirë në Spitalin Regjional të Gjilanit. Kurse 5 pacientë kanë një gjendje më të rëndë shëndetësore.
Në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik në Gjilan po zhvillohen përgatitjet të cilat kërkohen për realizimin e testeve PCR dhe serologjike.
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka vizituar Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik ku edhe është shprehur se ka ulje të numrit të rasteve të personave të infektuar në këtë komunë dhe se qëllimi i tyre është dalja nga zona e kuqe e cila nënkupton edhe heqjen e orarit të kufizimit për lëvizjen e lirë.
Ministria e Shëndetësisë ka futur shumë komuna të Kosovës në zonën e kuqe duke përfshirë edhe Gjilanit për shkak se këto komuna kanë numër të lartë të personave të infektuar me COVID-19.
“7 mijë e 350 mostra, jemi njëra nga komuna mbas Prishtinës që më së shumti ka pasur teste do të vazhdojmë me i rrit. Po përgatitemi me bo testimin vet. Në këto dy javë kemi rënie të rasteve. Po punojmë shumë që të ulim numrin në vija të vlerësimeve”, ka thëne Haziri.
Ndërkaq drejtoresha e Qendrës Rajonale e Shëndetit Publike, Ajhane Sefiu, ka deklaruar se do të trajnohet stafi dhe testet PCR e serologjike, do të realizohen në Gjilan.
“Ka ardhur nga Krocia ekipa, pra kompania i ka sjell ato mjetet e punës dhe kur të jemi të gatshëm do të fillojmë me testet PCR dhe testet serologjike. Jemi duke u përgatitur çdo ditë. Do të bëjmë trajnime që rezultatet me i dhanë këtu në Qendrën Rajonale të Shëndetit Publik”, ka thënë ajo.
Ndërkaq drejtoresha e Qendrës së Mjekësisë Familjare, Arbenita Hajdari ka deklaruar se ekipet e tyre mobile i vizitojnë 35 deri 40 pacientë të cilët po qëndrojnë në shtëpi për shkak se janë të prekur me virusin COVID-19.
“Numri i pacientëve që trajtohen në shtëpi nga ekipet tona brenda ditës është 35 deri 40. Jemi duke bërë vaksinimin për gripin sezonal dhe deri tash kemi dhënë 8 mijë vaksina dhe vaksinomini është duke vazhduar në dy qendrat më të mëdha në QKMF-në dhe në qendrën e Dardanisë. Kemi krijuar një ekip mobil për ata të cilët nuk mund të vijnë në qendër dhe shkojnë për vaksinonim në shtëpi”, ka thënë Hajdari.