Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se 2020-ta ishte viti më i rëndë sa i përket realizimit të të hyrave nga tatimet.
Në takimin publik qytetarët, i cili për shkak të pandemisë është realizuar në formatin online, me mbështetjen e organizatës zvicerane DEMOS, Haziri tha se janë realizuar vetëm 63 për qind e të hyrave komunale.
“Buxheti deri sot është shpenzuar 98 për qind, derisa të hyrat në këtë vit janë realizuar 63 për qind. Ka qenë viti më i rëndë dhe me i keq që e kemi kaluar dhe mezi po presim ta kalojmë këtë pandemi”, tha Haziri.
Ai theksoi se në këtë aspekt ka ndikuar edhe lirimi i të gjithë qytetarëve nga pagesa e të gjitha qiratë komunale.
Duke folur për 6-mujorin e dytë të punës, Haziri ka thënë se në përgjithësi janë përmbushur objektivat në realizimin e programeve në disa dikastere.
Haziri tha se menaxhimi i mirë i pandemisë, e ka nxjerrë Gjilanin nga zona e kuqe në zonën e verdhë, për të shtuar se po punohet që të kalohet në zonën e gjelbër.
“Lajmi më i fundit është që e kemi përmbyllur me sukses gjysmë vjetorin e parë të vitit shkollor, në kushte pandemie, ku shkollat tona kanë qenë shembulli më i mirë i parandalimit të përhapjes së COVID-19. Po ashtu, jemi duke punuar në 12 objekte shkollore në renovim, në kuadër të programit të efiçiencës së energjisë, derisa më 7 dhjetor kemi filluar me ndërtimin e çerdhes së re në lagjen Arbëria”, tha Haziri.
Në bujqësi, tha Haziri, është realizuar qind për qind programi për subvencionimit të fermerëve në mbjelljet vjeshtore.
Kreu i Gjilanit theksoi, po ashtu, se DKRS e ka realizuar në kushte pandemie kalendarin kulturor, sportiv e të rinisë, duke thënë se përpos përgatitjeve për “Flakën e Janarit 2021”, kalendari kulturor po përmbyllet nesër me koncertin - homazh për 91 qytetarët që e kanë humbur betejën me COVID-19.
Ndërkaq, për programin e infrastrukturës Haziri tha se është realizuar 93 për qind, ku vetëm dy rrugë janë në proces të ndërtimit.
Ai konfirmoi se tashmë kanë përfunduar punimet në ndërtimin e objektit të ri të QKMF-së përballe Spitalit Regjional, i cili pritet të funksionalizohet shumë shpejtë.
Në këtë takim publik, kreu i Gjilanit pohoi se kjo komunë është përfituesja më e madhe e projekteve të bashkëpunimit ndërkufitar, me mbështetjen e Komisionit Europian.
Në takimin publik online përmes platformës së mundësuar nga DEMOS dhe e cila ka qenë e lidhur edhe faqen zyrtare të Komunës së rrjetin social Facebook, brenda një ore sa ka zgjatur debat, i është shfaqur më shumë se 3800 qytetarëve, ku prej tyre kanë adresuar kërkesa, pyetje e rekomandime direkte; Drita Maliqi, Lumnije Rudhani, Bekim Rexhepi, Arjeta Maka, Pajazit Veseli, Nexhat Buzuku, Elhami Shabani etj, të cilët kanë marrë përgjigje nga kryetari Haziri dhe drejtorët komunalë.
Në fund, kryetari i Gjilanit u ka uruar mirëseardhje bashkatdhetarëve, duke kërkuar që t’iu përmbahen rregullave kundër përhapjes së pandemisë.