Spitali i Gjilanit javën tjetër do të bëhet me rezervuar të oksigjenit të lëngshëm

Gjilani

Spitali i Gjilanit javën tjetër do të bëhet me rezervuar të oksigjenit të lëngshëm

Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 17:56
Foto ilustrim

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ka bërë të ditur se në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit javën e ardhshme do të vendoset një rezervuar me oksigjen të lëngshëm, me një kapacitet prej 10 mijë litrash, për t’i dhënë fund problemeve me furnizim.

ShSKUK-ja tutje ka theksuar se ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, i ka shpalosur hollësitë e projektit gjatë vizitës në Njësinë COVID të Spitalit të Gjilanit, para personelit shëndetësor, të cilët i falënderoi për punën dhe angazhimin e jashtëzakonshëm, në ofrimin e shërbimeve mjekësore për pacientët e prekur me virusin SARS-CoV-2.

Gjatë vizitës, drejtori është shoqëruar nga Vjollca Kodolli, anëtare e Bordit Drejtues në ShSKUK.

“Menaxhmenti i SHSKUK-së, sipas planifikimeve të bëra, me një vizion të qartë për zgjidhjen e çështjes së furnizimit me oksigjen, së shpejti do të vendosë rezervuare me oksigjen të lëngshëm edhe në spitalet tjera të përgjithshme”, thuhet në komunikatë.

Ditë më parë në media vendore është raportuar se në Spitalin e Gjilanit ka mungesë oksigjeni, përderisa kjo ishte mohuar nga institucionet shëndetësore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat